Vendosni fjalën kyçe....

U morën nga familjet për eksperimentin mizor, të mbijetuarit e Groenlandës kërkojnë drejtësi nga Danimarka


Gjashtë groenlandezë indigjenë kanë kërkuar kompensim nga qeveria daneze për një eksperiment social të dështuar në vitet 1950, i cili i ndau nga familjet e tyre dhe i arsimoi në Evropë.

Duke folur të hënën, Mads Pramming, një avokat për Inuitët, tha se do të ngrejë një padi kundër qeverisë daneze për eksperimentin e tyre të epokës koloniale, nëse nuk nuk do ketë ndonjë reagim nga Kopenhaga në dy javët e ardhshme.

Ai tha për të përditshmen ‘Politiken’ se klientët e tij ‘humbën jetën e tyre familjare, gjuhën, kulturën dhe ndjenjën e përkatësisë’, duke shtuar se kjo ishte ‘një shkelje e të drejtës së tyre për jetën private dhe familjare, në përputhje me nenin 8 të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut’.

Gjashtë të mbijetuarit kërkojnë secili 33,600 euro (37,800 dollarë), thotë avokati i tyre.

Në vitin 1951, 22 fëmijë Inuit u ndanë nga atdheu i tyre dhe u dërguan në Danimarkë, të joshur me premtimin e një edukimi të mirë, të denjë për elitën e ardhshme të Groenlandës. Kopenhagen synonte që fëmijët të ktheheshin në shtëpi si modele për Groenlandën. Vetëm gjashtë janë ende gjallë sot, të gjithë janë në të 70-at.

Kur u kthyen në Groenlandë, fëmijët u vendosën në një jetimore pavarësisht se nuk ishin jetimë. Shumë prej tyre nuk i panë më kurrë familjet e tyre.

Danimarka kërkoi falje zyrtare për eksperimentin në dhjetor të vitit të kaluar.

“Ne nuk mund ta ndryshojmë atë që ndodhi. Por ne mund të marrim përgjegjësi dhe t’u kërkojmë falje atyre për të cilët duhej të ishim kujdesur, por nuk arritëm ta bënim,” tha kryeministrja daneze Mette Frederiksen.

Groenlanda ishte një koloni daneze deri në vitin 1953, më pas u kthye në territor autonom.