Vendosni fjalën kyçe....

Rritja e çmimit të konsumit, Dorjan Teliti: E papranueshme që pas 11 vitesh të përballemi me të njëjtin fenomen


Këshilltari për çështjet ekonomike në Partinë Demokratike, Dorjan Teliti në një deklratë për mediat, foli për rritjen e çmimeve të konsumit në vend dhe ndërhyrjet që duhet të bëjë qeveria.

Në emër të PD, Teliti i bëri thirrje kryeministrit Rama dhe Ministrisë së Financave që të alokojë 200 milion euro paketë ndihme financiare për familjet dhe bizneset prodhuese.

Deklarata e plotë:

Pas dështimeve dhe abuzimeve të njëpasnjëshme në menaxhimin e ekonomisë dhe pronës publike gjatë vitit të kaluar, pas falimentimit të dhjetëra bizneseve fason duke nxjerrë pa punë mijëra gra kryefamiljare si pasojë e zhvlerësimit të pashpjegueshëm të euros përveçse nga burime joligjore, ashtu siç konstatoi dje edhe vetë FMN, pas shpërdorimit të parave të shqiptarëve me tendera pa garë e pagesa për inceneratorë inekzistentë, pas dhënies nga buxheti i shtetit në muajin dhjetor të 30 milionë euro AlbControllit për të përballuar shpenzimet e veta pasi paratë e saj i merr Beçhetti në zbatim të vendimit të Gjykatave Ndërkombëtare, pasi futën profesionistët e lirë në skemën e tatimit mbi të ardhurat nga 15 në 23%, një lajm tjetër i hidhur vjen nga Instat-i qeveritar.

Në muajin dhjetor, në muajin kur oligarkët dhe qeveritarët ulen kokë më kokë duke pirë shishe verërash të shtrenjta për të diskutuar dhe rakorduar llogaritë mbi fitimet e tyre korruptive prej qindra milionë eurosh, qytetarët e thjeshtë të këtij vendi, ata që rropaten nga mëngjesi e deri në mbrëmje për të ushqyer fëmijët e tyre, u përballën me një shtrenjtim të mëtejshëm të cmimeve të shportës bazë të konsumit.

Konkretisht vetëm në muajin dhjetor u rriten cmimet e shportës së ushqimeve me 6.7%,

cmimet e perimeve me +20.8%, cmimet e frutave me +10.9%, cmimet e qumështit, dhjathit dhe vezëve me +6.7hhy%, cmimi i mishit me +5.5%, etj.

Zemërimi për shtrenjtimin e cmimeve shihet kudo, në cdo fytyrë prindi të thjeshtë, në cdo cep të Shqipërisë, si në qytetet ashtu edhe në fshatrat tona, të cilët në shumicë nuk patën mundësinë as të shtronin dot një tryezë të denjë për darkën e vitit të ri.

Si mund të presim që njerëzit të jetojnë në mënyrë dinjitoze, të shëndetshme dhe të ushqehen si duhet kur ushqimet bëhen gjithnjë e më të shtrenjta?

Është e papranueshme që pas 11 vitesh qeverisje çdo vit të përballemi me të njëjtin fenomen, atë të rritjes dyshifrore të ushqimeve bazë, por akoma edhe më e patolerueshme është braktisja që vazhdon ti bëhet familjes së thjeshtë shqiptare.

Ndaj, ndonëse nuk kemi ndonjë shpresë që të ndodhë, Partia Demokratike e gjykon mëse të domosdoshme dhe i bën thirrje Kryeministrit dhe Ministrisë së Financave të ndërmarrin menjëherë, pa humbur asnjë ditë më shumë, një paketë ndihme financiare mbështetëse për familjet me të ardhura të ulta dhe për bizneset prodhuese shqiptare.

Alokimi i një pakete financiare prej të paktën 200 milionë eurosh, të ndara në 150 milionë euro mbështetje financiare ndaj familjeve me të ardhura të ulta dhe 50 milionë euro në mbështetje të sipërmarrjes prodhuese për të kompensuar disi humbjet e tyre nga luhatjet e kursit të këmbimit dhe përshtatjen e tyre ndaj zhvillimeve sektoriale, është përgjigja më e mirë dhe e shpejtë për ti ardhur në ndihmë ekonomisë familjare dhe sipërmarrjes prodhuese vendase, me qëllimin e vetëm ruajtjen e vendeve të punës dhe mbajtjen në këmbë gjatë muajve të parë të vitit 2024 të konsumit të dërrmuar familjar.