Vendosni fjalën kyçe....

Motra e Kim Jong Un paralajmëron Jugun: Do ju “pagëzojmë” me zjarr ushtarak


Pheniani është i gatshëm t’i përgjigjet me forcë çdo “llogaritjeje të gabuar” të Seulit, ka thënë Kim Yo-jong, motra me ndikim e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

Të premten, Seuli njoftoi se po evakuonte ishullin Yeonpyeong pasi Koreja e Veriut qëlloi 200 predha artilerie në brigjet perëndimore. Ai tha se predha ranë në një zonë detare tampon midis fqinjëve sipas një marrëveshjeje të vitit 2018, nga e cila më vonë Pheniani u tërhoq.

Koreja e Jugut reagoi ndaj asaj që e quajti “situatë në përshkallëzim e krizës” duke lëshuar 400 predha të saj në det, në të njëjtën zonë. Sipas Seulit, ajo u pasua nga Veriu që qëlloi 60 predha të tjera në zonën tampon të shtunën.

Në deklaratën e saj të dielën, Kim Yo-jong, e cila është një figurë e lartë në Partinë e Punëtorëve në pushtet të Koresë së Veriut, mohoi pretendimin e fundit nga Jugu. Pheniani “nuk gjuajti as edhe një predhë të vetme në ujërat përkatëse” të shtunën, këmbënguli ajo.

“Kemi kryer një operacion fals për të vlerësuar aftësinë e vërtetë të zbulimit të gangsterëve ushtarakë të Koresë së Jugut,” pohoi motra e liderit të Koresë së Veriut.

Në vend që të gjuanin predha, forcat e Phenianit “shpërthyen pluhur që simulon zhurmën e artilerisë 130 mm bregdetare për të parë si do reagonte Seuli, shtoi ajo.

Kim Yo-jong tha se për shkak të “histerisë dhe arrogancës” së saj, ushtria e Koresë së Jugut “nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të gëlltiste karremin që hodhëm” dhe të provonte paaftësinë e saj. Ajo kujtoi një thënie se “frikacaku ka frikë nga hija e tij”.

Motra e liderit të Koresë së Veriut tha se ishte “shumë e dhimbshme” për qytetarët e Koresë së Jugut, të cilët ua besojnë sigurinë e tyre “njerëzve të verbër”.

Ajo paralajmëroi Seulin kundër keqgjykimeve të ngjashme në të ardhmen, duke argumentuar se Jugu po nxit fatkeqësi të rënda me sjelljen e tij.

“Më lejoni ta bëj të qartë: bravat e sigurisë në këmbëzat e ushtrisë sonë janë hequr… Nëse ka qoftë edhe një provokim të lehtë, ushtria jonë do nisë menjëherë një pagëzim me zjarr për Korenë e Jugut”, tha Kim Yo-jong.