Vendosni fjalën kyçe....

PL: Fasonët dhe eksportuesit po largohen nga Shqipëria nga rënia e euros


Partia e Lirisë, nëpërmjet një deklarate për shtyp të nënkryetares Erisa Xhixho kërkon që qeveria të ndihmojë biznesin fason i cili është goditur nga rënia drastike e euros.

Sipas Xhixhos eksportuesit dhe fasonët po detyrohen të largohen nga vendi pasi qeveria është e paaftë dhe e papërgjegjshme.

Më tej nënkryetarja theksoi se fasonët janë kambana e fundit e alarmit për një ekonomi të drejtuar nga paraja e krimit dhe korrupsionit.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë,

Biznesi fason po bëhet viktima e fundit e krizës së çmimeve dhe rënies drastike të euros. Eksportuesit dhe fasonët, dy sektorët më të injoruar e të pambështetur, sot po detyrohen të largohen nga vendi ynë për shkak të një qeverie të paaftë dhe të papërgjegjshme.

Vështirësitë ekstreme me të cilat këta sektorë po përballen prej muajsh po çojnë në mënyrë të pashmangshme drejt largimit të këtyre bizneseve nga Shqipëria. Rënia drastike e euros dhe mbiçmimi artificial i lekut, shkak i të cilave është pastrimi masiv i parave dhe informaliteti, rëndojnë prej më shumë se një viti mbi biznesin fason, i cili punëson 75 mijë njerëz në vend, shumica dërrmuese gra dhe vajza. 

Rasti i fundit, ai i largimit pas 27 vitesh të një marke italiane të veshjeve intime është një këmbanë alarmi për gjendjen e vështirë në të cilën gjenden fasonët. Zhvendosja e saj nga Shqipëria në Uzbekistan do të sjellë papunësi për qindra punonjës dhe rrezikon të kthehet në modelin që do të ndiqet edhe nga kompani të tjera, falë të cilave ushqehen mijëra familje shqiptare.

Prej muajsh kemi kërkuar mbështetje dhe kompesim të humbjeve që vijnë për shkak të rënies së euros dhe rritjes së çmimeve, por qeveria është indiferente. Prej muajsh, zëri i eksportuesve dhe fasonëve është injoruar nga një qeveri që pastrimin e parave e ka kthyer në modelin e saj.

Fasonët janë kambana e fundit e alarmit për një ekonomi të drejtuar nga paraja e krimit dhe korrupsionit. Në fakt, nuk jemi rastësisht në këtë situatë. E gjitha është qartazi pjesë e një axhende shpopullimi që po e zbraz Shqipërinë.

Ligji i ri që taksimin me 23% për profesionistët e lirë, mosfinancimi i arsimit, mungesa e mbështetjes për familjet e reja dhe bujaria në tendera e koncesione me oligarkët tregon qartë se kjo qeveri mbështet vetëm klientët e saj.

Në vend që të kanalizojë paratë e shqiptarëve në tendera e koncesione, në inceneratorë që nuk kanë punuar një ditë të vetme, ajo duhet para së gjithash të kompensojë humbjet për industrinë fason, të lehtësojë fiskalisht këto biznese dhe të nisë luftën kundër pastrimit të parave dhe informalitetit.

Është përgjegjësi direkte e kësaj qeverie të tërheqë biznesin fason nga buza e greminës, ku e ka dërguar vetë, në të kundërt kostot do t’i paguajnë direkt qytetarët, që do të humbasin vendet e punës. E kthyer në bastionin e kontrabandës së drogës në Europë, Shqipëria nuk ofron më siguri as për investitorët e huaj e fatkeqësisht as për vetë qytetarët shqiptarë që po largohen çdo ditë. Ata e kanë humbur shpresën sepse vendin e drejton një qeveri që është përcaktuar si më e korruptuara në Europë.

Ky kryeministër që ka shkatërruar institucionin e zgjedhjeve të lira e ka kthyer vendin në lavatriçe të parasë së pisët, duke krijuar pabarazi e duke rënduar biznesin e ndershëm, po e çon vendin drejt kolapsit. Largimi i të rinjve dhe shkëmoqja e biznesit sot është fatkeqësi kombëtare, ndaj duhet reaguar sot pasi nesër mund të jetë shumë vonë.