Vendosni fjalën kyçe....

Një shqiptare në krye të një prej bashkive në New Jersey, Begaj: Model frymëzimi dhe krenarie


Komuniteti shqiptar në Amerikën e Veriut ndodhet tashmë para një ngjarje historike, pasi për herë të parë në krye të bashkisë së Fairview në shtetin New Jersey, është zgjedhur një grua shqiptare, Violetta Berisha.

Për këtë arritje ka reaguar edhe presidenti Bajram Begaj i cili uroi Violetta Berishën dhe e cilësoi suksesin e saj si një model frymëzimi dhe krenarie.

“Urime Violetta Berisha për betimin si Kryetare e Bashkisë së Fairview, New Jersey. Ky është një moment historik jo vetëm për të, por edhe për komunitetin shqiptar në SHBA. Suksesi i saj si gruaja e parë shqiptare që merr një detyrë të tillë është një model frymëzimi dhe krenarie”, ka shkruar Begaj në Facebook.

Lajmin për këtë arritje e ka bërë me dije ambasada e Shqipërisë në SHBA, ku shkruhet se zgjedhja e Violetta Berishës në krye të një bashkie të një shteti të Amerikës, është moment historik për komunitetin shqiptar.

“Dita e sotme shënon një moment historik për komunitetin Shqiptar në Amerikë. Violetta  Berisha u betua si Kryetarja e Bashkisë e Fairview, New Jersey. Borough of Fairview. Urime Violetta Berisha, e para grua dhe Kryebashkiake shqiptare që merr këtë detyrë. Mirënjohje dhe krenari për arritjet e saj dhe komunitetit. Suksese në rrugëtimin tuaj.  Krenarë për arritjet e shqiptarëve kudo që janë”- thuhet në postimin e ambasadës shqiptare në SHBA.