Vendosni fjalën kyçe....

Altin Dumani konfirmon nisjen e hetimeve për prokurorin Klodian Braho


Gjuha e rezervuar që përdori për t’u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me akuzat dhe kallëzimet e ngritura ndaj vartësve të tij pak e fshehu pakënaqësinë e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani.

Drejtuesi i SPAK u pyet në lidhje me kallëzimin e Mirel Mërtirit ndaj prokurorit Klodian Braho, ku konfirmoi se ai është depozituar me postë.

“E kemi marrë kallëzimin me postë nga personi në fjalë. Çështja po trajtohet njëlloj si çdo çështje tjetër me seriozitet të plotë. Askush nuk është imun as në radhët tona, përfshirë edhe unë”, tha ai.

Mirel Mërtiri ka depozituar në SPAK kallëzimin ndaj prokurorit Braho, ndaj të cilit ngre akuzën e falsifikimit të formularëve dhe dokumenteve shtetërore dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.

Falsifkimi lidhet me një udhëtim që Braho ka ndërmarrë në Greqi në vitin 2012 në shoqërinë e dy të dënuarve për trafik droge, Bledar dhe Leonat Gavelli.

Të dy vëllezërit ishin subjekt i OFL-së në vitin 2020, ku iu sekuestruan pasuritë. Dosja përfundoi në SPAK, por në kallëzim thuhet se Klodian Braho ka ndërhyrë për ta mbyllur atë dhe zhbllokuar pasuritë e dy vëllezërve.

Dumani pranoi gjithashtu se edhe hetimet për sterilizimin dhe kërkesat e masës së sigurisë nga ana e prokurorëve nuk kanë qenë të plota.

“Jemi prokuror por nuk do të thotë të mendojmë dhe arsyetojmë të gjithë njësoj. Kam ndërhyrë me udhëzim detyrues, që në muajin Maj kur nuk ishin dhënë masat e para (për Rrjepaj e Rrapaj). Kam shprehur qëndrimin tim në raport me çështjen dhe rolin e ish-ministrit”, tha Dumani.