Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Financave hap procedurat e aplikimeve për programet e strehimit social për 2024-ën


Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka njoftuar nisjen e aplikimeve për programet e strehimit social që financohen nga buxheti i shtetit, gjatë vitit të ardhshëm.

 

Strehimi social

Sipas njoftimit nga Ministria, procedurat përcaktojnë llojet e projekteve që do të financohen nga buxheti i shtetit pjesërisht apo plotësisht, kushtet që duhet të plotësojnë bashkitë për t’u kualifikuar, si edhe formatin dhe dokumentacionin e aplikimit.

Ministria e Financave tregon se për financimin e projekteve të reja, në buxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar një fond prej 320 milionë lekësh.

Tre janë llojet e programeve sipas të cilave kategorizohen projektet që do të financohen:

1- Banesa sociale me qira;

2- Përmirësimi i kushteve të banimit për komunitete të varfëra dhe të pa favorizuara; si dhe

3- Streha të përkohshme;

Më konkretisht, në programin Banesa sociale me qira parashikohen projekte të financueshëm që mund të sigurohen nëpërmjet:

Adaptimit të objekteve ekzistuese që janë në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore;

Blerjes nga tregu, kur çmimi i blerjes së banesave në treg është më i ulët se kostoja e ndërtimit;

Ndërtimit të ri në truall në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Në programin Përmirësimi i kushteve të banimit për komunitete të varfra dhe të pa favorizuara parashikohet financimi i projekteve për:

Përmirësimin e infrastrukturës kryesisht në zona informale ku banojnë më shumë se 50 familje (kryesisht në zona të banuara nga minoriteti Rom), që janë në proces legalizimi;

Përmirësimin e infrastrukturës në zona banimi me mungesë shërbimesh si ujësjellës, kanalizime, ose ku këto shërbime janë të papërshtatshme; si dhe

Përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese për familje.

Sa i përket projekteve lidhur me përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, për familje, ato do të kenë në fokus individë apo familje pa të ardhura, nga minoriteti Rom dhe Egjiptian, familje që ka në përbërje persona me aftësi të kufizuara, familje e përbërë nga të moshuar me moshë mbi 65 vjeç që jetojnë vetëm, familjet me më shumë se katër fëmijë, vajzat nëna, grua viktimë e dhunës, grua kryefamiljare, ku fëmijët në ngarkim të kenë moshën nën 18 vjeç, etj.

Në programin streha të përkohshme parashikohet financimi i projekteve që kanë të bëjnë me blerje dhe montim të kontenierëve, tendave, etj., si edhe adaptim të një objekti ekzistues për banim.

Hapja e procedurave për programet e strehimit social për kategoritë në nevojë bëhet vetëm pak ditë pasi Qeveria me ndryshimet në buxhetin e vitit 2023 akordoi bonuse sociale për shtresat vulnerabël, pjesë e paketës së solidaritetit për festat e fundvitit.