Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli po i afrohet luftës në shkallë të plotë me Hezbollahun në Liban


Izraeli i është afruar një lufte gjithëpërfshirëse me lëvizjen e Hezbollahut libanez në mes të një gjendjeje përkeqësuese të armiqësive që po zhvillohet ndërsa Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) janë tashmë të përfshira në konfliktin e saj më intensiv deri më tani në Rripin e Gazës, ka thënë një zyrtar i IDF-së.

Zëdhënësi i IDF-së, nënkoloneli Jonathan Conricus u tha gazetarëve të hënën se Hezbollahu ka gjuajtur “më shumë se 1,000 lloje të ndryshme municionesh, raketash, dronesh, mortajash dhe të tjera drejt Izraelit” që nga 8 tetori, një ditë pasi lëvizja palestineze Hamas nisi një sulm të papritur të paparë kundër Izraelit nga Gaza.

Conricus paralajmëroi se “Hezbollahu, i cili siç e dinë të gjithë është një përfaqësues i Iranit, po e tërheq në mënyrë të rrezikshme Libanin në një luftë të panevojshme që mund të ketë pasoja të mundshme shkatërruese për shtetin e Libanit dhe për popullin e Libanit. Dhe është një luftë që unë mendoj se as Libani dhe as Izraeli nuk e meritojnë ta luftojnë.”

Conricus shprehu dëshirën e Izraelit për një zgjidhje diplomatike për të çarmatosur kërcënimin e paraqitur nga Hezbollahu për trupat izraelite dhe civilët përgjatë kufirit verior, por tha se IDF-ja “do vijojë të bëjë përgatitjet e nevojshme për të hequr me mjetet që kemi në dispozicion kërcënimin nga kufiri ynë”.

Duke iu përgjigjur pyetjes së Newsweek se sa afër ishte Izraeli me një luftë tjetër në shkallë të gjerë në Liban, Conricus tha se, duke parë shtrirjen e sulmeve në vijim, “atëherë ne mund të kishim qenë në luftë me Hezbollahun shumë kohë më parë, bazuar në veprimet e tyre, shkeljen e sovranitetit izraelit dhe viktimat që i kanë shkaktuar Izraelit”.

“Ne jemi sot më afër luftës sesa ishim dje,” tha Conricus.

“Dhe direktiva për IDF-në është sigurisht për të rritur gatishmërinë për t’u përgatitur dhe për të qenë të aftë për të mbrojtur civilët izraelitë.”

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant gjithashtu deklaroi veçmas të hënën se nëse “rivendosja e sigurisë në zonë” nuk mund të “zbatohet në mënyrë diplomatike, atëherë ne nuk do ngurrojmë të veprojmë”.

Newsweek ka kontaktuar Hezbollahun dhe Forcat e Armatosura Libaneze për koment.

Grupi ka njoftuar rregullisht sulme kundër pozicioneve izraelite “në mbështetje të popullit tonë të palëkundur palestinez në Rripin e Gazës dhe në mbështetje të rezistencës së tyre të guximshme dhe të ndershme”.

Raundi i fundit i sulmeve të hënën përfshinte veçanërisht pretendimet për shënjestrimin e dy baterive anti-raketë të Kupolës së Hekurt në kibutin verior izraelit të Kabrit.

IDF-ja, nga ana e saj, njoftoi një numër bombardimesh kundër Izraelit nga Libani jugor. Forcat izraelite u përgjigjën duke kryer sulme me artileri dhe avionë luftarakë kundër bazave të Hezbollahut, sipas një raporti të IDF-së.

Ritmi i sulmeve përgjatë kufirit të tensionuar midis Izraelit dhe Libanit ka arritur nivele që nuk shihen që kur IDF-ja dhe Hezbollahu luftuan luftën e tyre të dytë dhe të fundit të madhe në vitin 2006.

Ndërsa IDF-ja synon të mposhtë Hamasin në Gaza, një zyrtar i IDF-së i tha Newsweek se Izraeli gjithashtu nuk do teë toleronte një kthim në gjendjen e para 7 tetorit në frontin verior, një premtim i përsëritur nga Conricus të hënën. Paralajmërime janë lëshuar edhe për Iranin, i cili ka mbështetur Hezbollahun që nga themelimi i tij në kundërshtim me pushtimin e Izraelit të Libanit në vitin 1982.

Në një intervistë me Newsweek të botuar të premten, ambasadori iranian në Kombet e Bashkuara Amir Saeid Iravani deklaroi se “Izraelit i mungon aftësia për të ndërmarrë pushtime pa mbështetjen e qartë të Shteteve të Bashkuara”.

“Ndërsa konflikti i Gazës vijon, kostoja e kësaj mbështetjeje për Shtetet e Bashkuara po përshkallëzohet në mënyrë eksponenciale,” tha Iravani në atë kohë.

“Ndodhet një pikë kritike ku Amerika duhet të konsiderojë kushtëzimin dhe kufizimin e kësaj mbështetjeje ose rrezikon të bjerë pre e ambicieve të udhëheqjes izraelite.”

Iravani tha se “Irani mbetet i vendosur në qëndrimin e tij për t’u përmbajtur nga fillimi i një lufte me ndonjë vend”, por do ishte i gatshëm të luftonte një të tillë nëse është e nevojshme.

“Në thelb, një strategji parandaluese e luftës nuk mban asnjë pozicion brenda doktrinës mbrojtëse të Iranit,” tha Iravani.

“Megjithatë, vendi ruan gatishmërinë më të lartë për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi të perceptuar dhe për të mbrojtur me forcë veten, popullsinë dhe interesat e tij.”

Zyrtarët e Hezbollahut kanë paralajmëruar gjithashtu SHBA-në, me Sekretarin e Përgjithshëm Hassan Nasrallah që paralajmëroi gjatë fjalimit të tij të parë pas fillimit të luftës se forcat amerikane në rajon do ishin gjithashtu në shënjestër nëse do ndërhynin.

Udhëheqësi i Hezbollahut tha në fjalimin e tij të 3 nëntorit se SHBA-ja do pësonte pengesa të ngjashme si në operacionet e kaluara në Liban, Irak dhe Afganistan, nëse përfshihej më tej në konflikt.

Të hënën, anëtari i Hezbollahut në parlamentin e Libanit, Ibrahim al-Moussawi gjithashtu vuri në dukje praninë shtesë ushtarake të SHBA-së në rajon në mbështetje të Izraelit, por argumentoi se SHBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore po përballeshin me një rënie të fuqisë dhe ndikimit në mes të luftës në Gaza.

“Ne po përballemi me shndërrime të thella dhe të mëdha, maska ​​ka rënë nga regjimet perëndimore dhe popujt e botës kanë një sens të përbashkët që ishte shtrembëruar prej kohësh,” tha Moussawi, “kështu që ne shohim miliona njerëz në rrugët e Amerikës dhe Perëndimit që dalin e protestojnë në rrugët e tyre duke kërkuar t’i jepet fund agresionit në Gaza”.

Më shumë se 80,000 civilë janë evakuuar nga Izraeli verior në përgjigje të sulmeve ndërkufitare të Hezbollahut, sipas IDF-së. Zyrtarët e OKB-së vlerësojnë se më shumë se 64,000 njerëz janë zhvendosur nga Libani jugor që nga fillimi i luftës në Gaza.

IDF-ja ka akuzuar gjithashtu Hezbollahun për kryerjen e sulmeve pranë pozicioneve të mbajtura nga Forcat e Armatosura Libaneze dhe Forcat Paqeruajtëse të OKB-së në Liban (UNIFIL).

Javën e kaluar, zëdhënësi i UNIFIL Andrea Tenenti tha për Newsweek se paqeruajtësit “janë thellësisht të shqetësuar nga përshkallëzimi i dhunës dhe retorikës përgjatë vijës blu” dhe mbetën në kontakt të vijueshëm me autoritetet në Liban dhe Izrael për t’u përpjekur të ulin tesionet, dhe ne vijojmë të bëjmë thirrje të gjitha palët e përfshira të ndalin zjarrin e tyre dhe të punojnë drejt një zgjidhjeje politike”.

Ndërsa Tenenti tha se konflikti deri më tani ka mbetur kryesisht i kufizuar në zonën kufitare të Linjës Blu, ai paralajmëroi se “shkëmbimet e vijueshme aktive të zjarrit hapin mundësinë shumë të vërteta që mund të ndodhë një llogaritje e gabuar” dhe tha “ky është një shqetësim i vërtetë për ne dhe pse është e rëndësishme për të ndaluar shkëmbimin e zjarrit tani”.

Duke folur gjatë një telefonate për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të hënën, Koordinatori i Komunikimeve Strategjike të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se zyrtarët amerikanë po vëzhgonin nga afër gjendjen në kufirin Izrael-Liban dhe ishin “në diskutime aktive” me homologët izraelitë për këtë çështje.

Kirby tha se SHBA-të nuk “duan të shohin një konflikt të plotë midis Hezbollahut dhe Izraelit”.

“Sulmet e vijueshme përtej atij kufiri janë shqetësuese për ne,” tha Kirby.

“Ne nuk duam të shohim zgjerimin e konfliktit. Ne nuk duam të shohim hapjen e një fronti verior.”

*Korrespondenti i Shtëpisë së Bardhë Daniel Bush kontribuoi në raportimin për këtë histori.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Newsweek

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani