Vendosni fjalën kyçe....

“Do e bëjmë shqiptar” – Rama i jep çmim nderi Sylvinho-s


Kryeministri Rama i ka dorëzuar çmimin e nderit trajnerit të kombëtares shqiptare Sylvinho në mbrëmjen Gala të Yjeve të Sportit.

Ai tha se Sylvinho do bëhet shqiptar teksa pohoi se ky i fundit ka pranuar të marrë nënshtetësinë shqiptare.

“Dua të bëj një falenderim presidentit të Komitetit Olimpik Evropian i cili na nderon me praninë e tij. Rastësia e do që njëri të jetë grek, tjetri italian. Kështu që grekë, italianë, shqiptarë, jemi në një familje. Kemi dhe një brazilian, për syrin e keq, por nëse grekun dhe italian do i lëmë siç janë, brazilianin do ta bëjmë shqiptar, por edhe ai e ka pranuar me kënaqësi që të marrë nënshtetësinë shqiptare.”, tha Rama.

Më herët lajmin për nënshtetësinë shqiptare të trajnerit të kombëtares e dha ministri i Brendshëm Balla, teksa ishte ulur pranë Sylvinho-s në një veprimtari.

Kombëtarja shqiptare bëri një fushatë mbresëlënëse kualifikuese për Euro24 duke u kualifikuar si e para e grupit.

Ajo do ndeshet në Euro204 me Italinë (15 qershor Dortmund), Kroacinë (19 qershor Hamburg) e Spanjën (24 qershor Dyseldorf).