Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimet për inceneratorin e Tiranës, Berisha: Veliaj tentoi ta shiste djegësin si aferë të Ramës


Ish kryeministri Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp ditën e sotme, ka folur mbi denconcimet për inceneratorin e Tiranës.

Berisha tha se kryebashkiaku i Tiranës gjatë një interviste televizive tentoi të fajësonte Edi Ramën për aferën e inceneratorëve. Ai tha se dokumentet tregojnë kush qëndron pas aferës.

“Ai sot e shet djegësin si aferë të Edi Ramës dhe Edi Rama pa diskutim ka përgjegjësi penale për firmën që ka firmosur për bonusin 8 pikë. Por në çdo hallkë tjetër, me dokumente zyrtare, ka vetëm një përgjegjës kryesor dhe emri i tij është Erion Veliaj.”- u shpreh Berisha.

 

Pjesë nga deklarata:

Pavarësisht se grupi i strukturuar kriminal në SKAPin e partisë, e ka amnistuar Erion Veliajn, ky i fundit pranoi mbrëmë plotësisht fajësinë e tij, por në dallim nga ajo çka ju mund të prisnit, ky mbrëmë mori edhe guximin të bëjë përpjekjen e hapur për të fajësuar për djegësin e Tiranës, as më shumë dhe as më pak se Edi Ramën. Erion Veliaj, i cili guxoi të fliste për ndërgjegjen në një kohë kur fytyra i ishte bërë sterrë. Dhe thoshte ndërgjegjja e pastër, se si mund të shkojë ndërgjegjja e pastër me fytyrën sterrë, atë e din ai. Po t’i bësh ‘face reading’, ai del tre herë fajtor. Pra, ndërgjegjen e kam të pastër dhe u tha qytetarëve se ata dy drejtorë që janë të burgosur, janë dy inxhinierë që kanë pasur si detyrë të thonë sa plehra prodhon bashkia.

Erion Veliaj, tezën e myshteriut, apo të klientit, e ka fabrikuar së bashku me ish-oficerin e policisë sekrete shqiptare, Arben Krajën, kohë më parë dhe unë këtu para jush kam denoncuar asokohe myshteriun Erion Veliaj.

E vërteta është se Erioni në djegësin e Tiranës, është absolutisht strumbullari numër 1 i tij.

Ai sot e shet djegësin si aferë të Edi Ramës dhe Edi Rama pa diskutim ka përgjegjësi penale për firmën që ka firmosur për bonusin 8 pikë. Por në çdo hallkë tjetër, me dokumente zyrtare, ka vetëm një përgjegjës kryesor dhe emri i tij është Erion Veliaj.

Erion Veliaj ka firmosur planin e fizibilitetit, me të cilin ka deklaruar leverdisshmërinë e djegësit të Tiranës ndërkohë që kusht themelor për fizibilitet dhe leverdisshmëri është që një PPP të kryejë shërbimin me kosto më të ulët sesa sektori publik.

E kundërta ka ndodhur, Erion Veliaj ka përcaktuar një kosto dy herë më të lartë sesa ç’është kalkuluar ajo nga ekspertët e mirënjohur të KLSH.

Pra, ka përcaktuar tarifën 29 euro në një kohë kur ajo duhej të ishte 14 euro.

Erion Veliaj ka përdorur këtë plan me firmën e tij drejtuar Shkëlqim Canit, i cili për hir të së vërtetës, e ka kthyer si të papranueshëm dokumentin dhe kërkesën e Erion Veliajt.

Erion Veliaj, ky myshteri i Edi Ramës, pas ndryshimit të ministrit të Financave, ka përsëritur të njëjtën kërkesë te Arben Ahmetaj, me firmë, me shkresë, me vulë dhe ka marrë përgjigje nga Arben Ahmetaj se kjo nuk mund të pranohet.

Ai ka insistuar disa herë te ministri i Financave, i cili ka qenë refuzues ndaj kërkesës së tij.

Erion Veliaj ka caktuar Tushen dhe Simixhiun në komisionin e PPP-së. Institucion me dy përfaqësues. Ata i ka porositur të insistojnë në bonusin 8 pike. Por atyre, pavarësisht se ku janë, u njoh një meritë.

Merita e tyre e padiskutueshme është se në procesverbalet e mbledhjeve, kanë deklaruar të kundërtën e asaj që ka deklaruar me shkrim Erion Veliaj.

Ata kanë deklaruar se djegia e plehrave me këtë kosto nuk mund të përballohet nga Bashkia e Tiranës dhe kërkon financime nga qeveria.

Në qoftë se Erion Veliaj merrte parasysh këshillën e këtyre inxhinierëve që ishin vetëm për sasinë e plehut, djegësi i Tiranës, ose ai të paktën, nuk firmoste garancinë që i çoi Lefter Kokës për financimin me 91 milionë nga bashkia, në një kohë kohë kur ishte totalisht e pamundur sipas inxhinierëve të tij, Tusha dhe Simixhiu.

Sabotimi ka vetëm një shkak, vjedhjen e të ardhurave që mblidheshin nga taksat e qytetarëve të Tiranës dhe i paguante Bashkia dhe po kaq të dherave që detyronin biznesit të depozitonin dherat kundrejt tarifave skandaloze. Erion Veliaj saboti monitorimin e projektit, sepse duhet të ishte vetëm në letër dhe paratë e paguara nga qytetarët e Tiranës dhe bizneset t’i ndante me Edi Ramën. A mundet të arrestohen dy inxhinierë për fajin e vetëm se kanë bërë një propozim që ua ka kërkuar Erion Veliaj dhe kanë deklaruar në komision se Bashkia e Tiranës nuk e përballon dot këtë vepër.