Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: S’ka asnjë ftohje me PL-në, jemi në sintoni me veprimet


Ish-kryeministri Sali Berisha teksa e cilësoi hapin e radhës nga SPAK që kërkon një masë shtrënguese për të, përndjekje politike nga ana e Ramës për opozitën.

Ai tha se nuk ka asnjë ftohje me Partinë e Lirisë dhe se janë në sintoni me veprimet.

“Së pari, nuk kanë kërkuar heqjen e imunitetit, kanë kërkuar në mënyrën më të turpshme, përligjen e aktit të tyre antikushtetues.

Ata morën një vendim në shkelje të Kushtetutës, të cilin unë nuk e zbatova jo për shkaqe të mia personale, por nuk e zbatova vetëm e vetëm për të mbrojtur pushtetin e parlamentit dhe vetë Kushtetutën, sepse ata u bënë pjesë e një puçi antikushtetues, duke marrë pushtetin e parlamentit për llogari të Edi Ramës.

Në vend që të kërkonin nga parlamenti, me një sens vetëqortimi, autorizimin për korrigjimin e gabimit që bënë, përkundrazi ata kërkojnë nga parlamenti, rëndimin e masës për shkak se unë mbrojta Kushtetutën. 

Pra, dallimi është shumë i madh. Çfarë thotë ky dallim? Ky dallim, për të marrë një shprehje hua të një bashkëpunëtori, është përpjekja për të legalizuar ndërtimin pa leje, kurse në gjuhën e juristëve është përpjekja për të legjitimuar të paligjshmen, aktin e tyre antikushtetues.

Ndaj dhe nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë dëshmuar se ata janë një. Kjo është shprehja më tipike e partisë-shtet, ku prokuroria, gjykatësi, parlamenti, kryeministri të gjithë janë një në dorë të kryeministrit.

U porositën për atë rrugë, nuk u eci, se natyrisht nuk mund të bija në gabime të rënda dhe t’i vija vetes shkeljen e Kushtetutës, atë nuk mund ta bëja. Jam ish-president, ish-kryeministër, kam zbatuar ligjet gjithë jetën time.

Tani po përligjin atë akt antikushtetues që kanë ndërmarrë. Duke thënë këtë, natyrisht unë jam personi që në vitin 2012 kam dërguar në parlament ligjin e abrogimit të çdo mbrojtje për deputetët para drejtësisë. 

Unë kam kërkuar që deputetët të jenë të njëjtë me qytetarët e tjerë. Në këtë kontekst, cilido të jetë vendimi i parlamentit, unë do e zbatoj. Edhe nesër po ta kishin sjellë atë propozim të vitit 2012, përsëri do e votoja, nuk jam i penduar për këtë.

Lidhur me Partinë e Lirisë, të gjitha këto janë përndjekje politike e opozitës nga Edi Rama. Çdo akt, se si mund t’i sekuestrohet pa një leje, t’i kontrollohet korrespondenca deputetit pa leje parlamenti, kjo është shkelje përsëri e Kushtetutës. 

Kanë të drejtë, jam krenar që këtë të drejtë ua kemi garantuar ne në vitin 2012, për të tjerat, për korrespondencën, për kontrollin e banesës, ata duhej t’i merrnin leje parlamentit. Por ata nuk i marrin. 

Siç nuk i morën leje parlamentit për heqjen e lirisë të udhëtimit jashtë shtetit, duke e quajtur këtë se nuk është liri, pavarësisht se Kushtetuta në një vend të veçantë shkruante se kjo liri nuk mund të hiqet. Ndaj dhe është proces i persekutimit politik të opozitës dhe opozita do qëndrojë.

Nuk ka asnjë ftohje me PL, përkundrazi siç e shihni jemi në sintoni me të dhe partitë e tjera të opozitës në kushtet e një diktature bande të vendosur nga Edi Rama dhe klani i tij.”, tha Berisha.