Vendosni fjalën kyçe....

Ngadalësohet rritja e pagave në sektorin privat, bie në shërbimet financiare e teknologjinë e informacionit, rritet për pasuritë e paluajtshme


Në tremujorin e tretë, rritja e pagave në sektorin privat u ngadalësua ndjeshëm në krahasim me tremujorët e mëparshëm.

Sipas INSTAT në tremujorin e tretë të vitit, kur ekonomia u gjallërua, pagat e sektorit privat nuk janë rritur fare në raport me tremujorin e mëparshëm, duke mbetur në 65.9 mijë lekë në muaj.

Kjo tendencë është ndikuar nga dy aktivitete ekonomike, që në fakt ofrojnë dhe pagat më të larta për punonjësit e tyre.

Page mesatare mujore bruto “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit” në tremujorin e tretë zbriti në 132.7 mijë lekë, me një rënie prej 11% në krahasim me tremujorin e mëparshëm.

Të njëjtën tendencë shënoi dhe “Informacioni dhe komunikacioni”, ku paga mesatare zbriti me 5.8%, në 105.6 mijë lekë në muaj.

Për aktivitetet e tjera rritja është minimale, midis 0.7 dhe 3%.

Aktiviteti që ka shënuar ecurinë më të mirë për pagat është ai i “pasurive të paluajtshme; Aktivitete shkencore, profesionale”, ku paga mesatare arriti në 79 mijë lekë, me rritje gati 4% në krahasim me tremujorin e dytë të këtij viti.

Sektori i akomodimit ka pasur vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore, sidomos në tremujorin e tretë, kur u shënua dhe kulmi i sezonit turistik, që këtë vit pa një rritje të lartë të të huajve. Megjithatë, paga për këtë aktivitet mbetet ndër më të ulëtat në ekonomi, në 57 mijë lekë në muaj, ndërkohë që rritja në krahasim me tremujorin e mëparshëm është minimale, prej vetëm 1%.

Industria, e cila nga njëra anë po përballet me shtimin e kostove e rënien e euros dhe nga ana tjetër me presionin e mungesës së fuqisë punëtore për shkak të emigracionit, i rriti pagat me vetëm 0.7% në tremujorin e tretë në raport me të dytin, me një mesatare prej 61.6 mijë lekë.

Rritja e pagave ka qenë më e lartë në administratën publike për shkak të reformës së qeverisë për rritjen e pagave në administratën publike.

Rritja e shpejtë e pagave në sektorin shtetëror ka bërë që të thellohet ndjeshëm diferenca me privatin, për të arritur në tremujorin e tretë në 18.3 mijë lekë, që është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë që nga tremujori i tretë 2020, kur raportohen të dhënat. Në këtë mënyrë, paga në sektorin privat është mesatarisht 22% më e ulët se ajo në shtet.

Burimi: INSTAT

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor