Vendosni fjalën kyçe....

Valë aksidentesh në vend, tre brenda pak orësh, përplasen dhjetëra automjete (Foto+Video)


Paraditja e sotme është shoqëruar me një mori aksidentesh automobilistike, ku për pasojë kanë mbetur të plagosur disa persona dhe janë dëmtuar disa automjete. 

Aksidentet kanë ndodhur në Rrugën e Kombit, dy në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas dhe gjithashtu një aksident tjetër është njoftuar dhe në Fushë Kosovë ku janë përfshirë 14 automjete. 

Aksidenti i 6-fishtë në Rrugën e Kombit ndodhi në afërsi të fshatit Blinisht. Si pasojë e përplasjes janë shkaktuar dëme materiale dhe janë lënduar lehtë dy shtetas.

“Në Rrugën e Kombit, në afërsi të fshatit Blinisht janë përplasur 6 automjete. Si pasojë e përplasjes janë shkaktuar dëme materiale dhe janë lënduar lehtë dy shtetas.

Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për të përcaktuar shkakun e përfshirjes se automjeteve ne aksident.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sa i përket aksidentit të parë të regjistruar në Përrenjas, kanë mbetur të plagosur, ku sipas informacioneve një prej tyre është plagosur rëndë dhe është transportuar për në repartin e kirurgjisë së Spitalit të Elbasanit për shkak të frakturave të shumta që i janë shkaktuar nga aksidenti, ndërsa të plagosurit e tjerë janë dërguar në Spitalin e Librazhdit. Aksidenti është regjistruar në vendin e quajtur “Ura e Mërkurit”.

Nga pamje shihen mjete të shkatërruara në vendin e ngjarjes. Një automjet dyshohet se ka humbur drejtimin e lëvizjes, është përplasur me një tjetër dhe ka dalë jashtë rruge duke u përplasur me bordurën anësore.

“Në aksin rrugor “Librazhd-Përrenjas”, automjeti me drejtues shtetasin A. S. është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin Gj. P. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar 3 pasagjerë në automjetin me drejtues shtetasin A. S. dhe 3 të tjerë në automjetin me drejtues shtetasin Gj. P., të cilët ndodhen në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. 

Me drejtuesit e automjeteve po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit”, sqaroi policia.

Ndërkohë që aksidenti i dytë brenda pak orësh, gjithashtu në aksin rrugor Përrenjas-Librazhd, ka përfshirë një mjet të tonazhit të rëndë 

Për pasojë automjeti është përmbysur  në rrugë dhe ka  bllokuar qarkullimin duke shkaktuar radhë kilometrike.

Nga informacionet thuhet se mjet i tonazhit të rëndë ka humbur drejtimin e lëvizjes dhe për pasojë ka dalë jashtë rruge. 

Siç u përmend dhe më sipër në aksidentin e ndodhur në Kosovë janë përfshirë 14 automjete dhe për pasojë kanë mbetur të lënduar disa persona.

 

“Rreth orës 06:50 në autostradën Ibrahim Rugova, Mazgit-Bresje mbi urë te ETC-ja sipas informatave fillestare është shkaktuar një aksident trafiku zinxhiror ku janë të përfshira 14 automjete dhe si pasojë e aksidentit raportohet edhe për persona të lënduar”, njoftoi një zëdhënës policie.