Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: PS futi në procedurë të përshpejtuar marrëveshjen për emigrantët, Kushtetuesja hesht


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi nëpërmjet një reagimi deklaron se shumica socialiste ka futur me procedurë të përshpejtuar për miratim në Kuvend marrëveshjen për emigrantët me Italinë.

Bardhi thotë se kjo nuk mund të bëhet pasi që në Gjykatën Kushtetuese është depozituar një kërkesë për kontrollin e kushtetuetshmërisë së saj.

Deputeti demokrat thotë se lëvizja e shumicës qeverisëse e bën këtë duke shfrytëzuar heshtjen e Gjykatës Kushtetuese.

Grupi Parlamentar i PD-së i drejtuar prej tij ka depozituar kërkesën për pezullimin e ratifikimit të marrëveshjes.

Marrëveshjet ndërkombëtare i nënshtrohen kontrollit nga Gjykata Kushtetuese përpara ratifikimit të tyre. Mazhoranca socialiste, edhe pse ka një kërkesë për kontrollin e kushtetutshmërisë, duke shfrytëzuar heshtjen e çuditshme të Gjykatës Kushtetuese, po shqyrton me procedurë të përshpejtuar marrëveshjen me Italinë dhe në kundërshtim me kalendarin e miratuar nga Konferenca e Kryetarëve parashikon miratimin e saj në seancën e datës 14 Dhjetor 2023.

Sot kam ripërsëritur për herë të tretë kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e procedurës parlamentare për ratifikimin e marrëveshjes. Gjykata Kushtetuese duhet të sillet si e tillë dhe jo si shtojcë pa vlerë e Qeverisë së Edi Ramës. Marrja në shqyrtim paraprak menjëherë e kërkesës së opozitës është detyrim që buron nga Kushtetuta dhe Ligji për Gjykatën Kushtetuese! E kundërta është atentat ndaj shtetit ligjor dhe minon përfundimisht besimit tek Gjykata Kushtetuese”, thuhet në reagim.