Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli i vazhdon bombardimet në Gazë, përfshirë në pjesët ku u kërkoi civilëve të strehohen


Avionët luftarakë të Izraeli i bombarduan disa pjesë të Rripit të Gazës gjatë natës së kaluar dhe mëngjesin e së shtunës, përfshirë në disa vende në jug, ku ushtria izraelite i kishte urdhëruar palestinezët të evakuoheshin.

Bombardimet e pareshtura u kryen disa orë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përdorën veton kundër një rezolute të mbështetur pothuajse nga të gjithë anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit dhe dhjetëra vende të tjera të premten, e cila kërkonte një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gazë.

Rezultati i votimit ishte 13-1 në Këshillin e përbërë nga 15 anëtarë. Britania e Madhe abstenoi nga votimi.

“Sulmet nga ajri, toka dhe deti janë intensive, të vazhdueshme dhe të mëdha”, tha sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, para votimit.

Kufijtë e Gazës me Izraelin dhe Egjiptin janë të mbyllur, që nënkupton se palestinezët nuk kanë zgjidhje tjetër pos të kërkojnë strehim brenda territorit të vet.

Numri i përgjithshëm i të vrarëve nga bombardimet izraelite në Gazë ka arritur në 17.400 – 70% gra dhe fëmijë ndërsa mbi 46.000 janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin palestinez, e cila thotë se shumë njerëz të tjerë kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja.

Izraeli e mban përgjegjës Hamasin – grupin radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE  për vrasjet e civilëve, duke i akuzuar pjesëtarët e tij se po i përdorin civilët si mburoja njerëzore.

Të shtunën, banorët e Gazës raportuan për sulme ajrore dhe granatime në pjesët veriore dhe jugore të vendit, përfshirë në qytetin Rafah, i cili shtrihet pranë kufirit egjiptian dhe është vendi ku Izraeli i kishte urdhëruar civilët të shkonin për t’u strehuar.

Spitali kryesor në qendër të qytetit Deir Al-Balah, i pranoi trupat e 71 njerëzve të vrarë nga bombardimet në atë zonë në 24 orët e fundit, tha Ministria e Shëndetësisë të shtunën në mëngjes.

Për bombardime gjatë natës u raportua edhe në kampin e refugjatëve Nuseirat, ku banori Omar Abu Moghazi, tha se u godit një shtëpi familjare dhe si pasojë pati të vdekur.

“Kjo është rutinë. E ke vetëm një mundësi: largohu ose atë do të të vrasin. Kështu është nëpër veri”, tha Mohamed Abded, i cili jeton në lagjen Zaytoun në Qytetin e Gazës.

Izraeli e ka shpallur një pjesë të ngushtë të vijës bregdetare në jug, Muwasi, si zonë të sigurt. Por, palestinezët që kanë shkuar atje, tregojnë për kushte të rënda dhe mbipopullim, me mungesë të strehimoreve dhe higjienës.

“Këtu nuk kemi parë asgjë të mirë. Po jetojmë në një të ftohtë të madh. Këtu nuk ka banjë. Ne po flemë në rërë”, tha Soad Qarmoot, një grua palestineze e cila është detyruar të ikë nga shtëpia e vet në veri të Gazës, raporton Associated Press.

“Unë jam paciente me kancer”, tha Qarmoot, duke shtuar se “nuk ka asnjë dyshek ku unë mund të fle. Po fle në rërë, bën shumë ftohtë”.

Izraeli është duke u përpjekur ta pushtojë veriun e Gazës, ku luftimet e ashpra flasin për një rezistencë të madhe nga udhëheqësit e Hamasit në Gazë. Besohet se dhjetëra mijëra banorë kanë mbetur në këtë pjesë të vendit, pavarësisht urdhrave për evakuim, rreth gjashtë javë pasi trupat dhe tanke izraelite u futën aty gjatë luftës që u nxit nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit ndaj civilëve izraelit më 7 tetor.

Rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, u vranë gjatë sulmit të Hamasit, ndërsa më shumë se 240 të tjerë u morën peng. Gjatë një armëpushimi të përkohshëm njëjavor u liruan një pjesë e pengjeve në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë.

Megjithatë, besohet se mbi 130 pengje janë duke u mbajtur nga Hamasi në Gazë ende.

Me gjithë trysnin e madhe ndërkombëtare, administrata e presidentit Joe Biden i ka kundërshtuar thirrjet për armëpushim, duke thënë se kjo do t’ia mundësonte Hamasit të mbijetojë dhe të jetë kërcënim për Izraelin përsëri.

Zëvendësambasadori amerikan në OKB, Robert Wood, e kritikoi Këshillin e Sigurimit se ka dështuar ta dënojë sulmin e Hamasit dhe tha se ndalja e luftimeve do t’ia mundësonte Hamasit të vazhdojë ta udhëheqë Gazën dhe “vetëm të përgatitet për luftën e radhës”, shrkuan REL.

“Derisa Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqishëm një paqe të qëndrueshme, në të cilën Izraeli dhe palestinezët mund të jetojnë në paqe dhe siguri, ne nuk i mbështesim thirrjet për armëpushim të menjëhershëm”, tha ai.