Vendosni fjalën kyçe....

Ngecja e kundërsulmit ndaj trupave ruse “ngrin” frontin në Lindje, rritet zhgënjimi amerikan


Ushtarët në Brigadën e 47-të të Mekanizuar të Veçantë prisnin të binte nata përpara se të grumbulloheshin – nervozë por të sigurt – në automjetet e tyre luftarake Bradley të ofruara nga SHBA-ja. Ishte 7 qershor dhe kundërofensiva e shumëpritur e Ukrainës do fillonte.

Synimi për 24 orët e para ishte për të përparuar gati 14 km, duke arritur në fshatin Robotyne – një shtytje fillestare në jug drejt objektivit më të madh të rimarrjes së Melitopolit, një qytet pranë Detit Azov dhe ndërprerjes së linjave ruse të furnizimit.

Asgjë nuk shkoi siç ishte planifikuar.

Trupat ukrainase e dinin se do përballeshin me fusha të minuara, por u habitën nga dendësia e tyre. Toka ishte e mbuluar me eksplozivë, aq shumë sa disa u varrosën në pirgje. Ushtarët ishin stërvitur për të drejtuar mjetet Bradley në një objekt në Gjermani, në terrene të lëmuara. Por në tokën e butë të rajonit të Zaporizhzhias, në zhurmën shurdhuese të betejës, ata u përpoqën të kalonin nëpër korsitë e ngushta të pastruara nga minëpastruesit nga njësitë e përparuara.

Rusët, të pozicionuar në lartësi më të madhe, filluan menjëherë të gjuanin raketa antitank. Disa automjete në kolonë u goditën, duke detyruar të tjerët pas tyre të shmangen nga rruga. Ato, nga ana tjetër, shpërthyen mbi mina, duke gërryer edhe më shumë karvanin. Helikopterët rusë dhe dronët u futën gjithashtu në sulm dhe goditën grumbullin e mjeteve ukrainase.

Trupat, disa duke përjetuar tronditjen e luftimit për herë të parë, u tërhoqën për t’u rigrupuar – vetëm për të sulmuar dhe tërhequr, përsëri dhe përsëri në ditët e njëpasnjëshme, me të njëjtat rezultate të përgjakshme.

“Ishte zjarr ferri,” tha Oleh Sentsov, një komandant toge në Kompaninë 47.

Në ditën e katërt, Gjenerali Valery Zaluzhny, komandanti i lartë i Ukrainës, kishte parë mjaftueshëm. Pajisjet ushtarake perëndimore të djegura – amerikanet Bradley, tanket gjermane Leopard, automjete për pastrimin e minave – mbushën fushën e betejës. Numri i të vdekurve dhe të plagosurve ul moralin.

Plani për të marrë Robotyne

Shtytja e Ukrainës për të rimarrë Robotyne në fillimin e kundërsulmimit përfshinte dy qëllime: Ditën e parë, për të përparuar në skajin verior të qytetit dhe deri në ditën e katërt, për të kontrolluar të gjithë komunitetin dhe territorin më në jug. Për shkak të fushave të gjera të minuara dhe fortifikimeve të ndërtuara nga rusët, operacioni në fund mori 12 javë për t’u arritur.

Zaluzhny u tha trupave të tij që të ndalonin sulmet e tyre përpara se të zhdukej edhe armatimi i mbetur i kufizuar, tha një zyrtar i lartë ushtarak ukrainas.

Në vend që të përpiqej të shkelte mbrojtjen ruse me një sulm masiv, të mekanizuar dhe me zjarr artilerie mbështetëse, siç kishin këshilluar homologët e tij amerikanë, Zaluzhny vendosi që ushtarët ukrainas të shkonin në këmbë në grupe të vogla prej rreth 10 ushtarësh – një proces që do shpëtonte pajisje dhe jetë, por do të ishte shumë më i ngadalshëm.

Muaj të tërë planifikimi me Shtetet e Bashkuara u hodhën mënjanë në atë ditë të katërt, dhe kundërsulmi tashmë e vonuar, i projektuar për të arritur në Detin Azov brenda dy deri në tre muajsh, pothuajse u ndal.

Në vend që të bënin një përparim prej 14 km në ditën e tyre të parë, ukrainasit në gati gjashtë muajt që nga qershori kanë përparuar rreth 20 kme dhe kanë çliruar një pjesë të vogël të fshatrave. Melitopol është ende larg mundësive të tyre.

Ky tregim se si u shpalos kundërofensiva është i dyti në një seri me dy pjesë dhe ndriçon përpjekjet brutale dhe shpesh të kota për të shkelur linjat ruse, si dhe përçarjen në rritje midis komandantëve ukrainas dhe amerikanë mbi taktikat dhe strategjinë. Shkrimi i parë shqyrtoi planifikimin e Ukrainës dhe të SHBA-së që hyri në operacion.

Kjo pjesë e dytë bazohet në intervista me më shumë se 30 zyrtarë të lartë ushtarakë ukrainas dhe amerikanë, si dhe mbi dy duzina oficerë dhe trupa në vijën e frontit. Disa zyrtarë dhe ushtarë folën në kushte anonimiteti.

Gjetjet kryesore nga raportimi mbi fushatën përfshijnë:

  • Shtatëdhjetë për qind e trupave në një nga brigadat që udhëhoqën kundërsulmin dhe të pajisur me armët më të reja perëndimore, hynë në betejë pa përvojë luftarake.

 

  • Pengesat e Ukrainës në fushën e betejës çuan në përçarje me Shtetet e Bashkuara mbi mënyrën më të mirë për të kaluar mbrojtjen e thellë ruse.

 

  • Komandanti i forcave të SHBA-së në Evropë nuk mundi të vihej në kontakt me komandantin e lartë të Ukrainës për javë të tëra në fillim të fushatës mes tensioneve mbi supozimin e vendimeve të fushëbetejës nga zyrtari amerikan.

 

  • Secila palë fajësoi tjetrën për gabime ose llogaritje të gabuara. Zyrtarët ushtarakë amerikanë arritën në përfundimin se Ukraina kishte dështuar në taktikat bazë ushtarake, duke përfshirë përdorimin e zbulimit tokësor për të kuptuar dendësinë e fushave të minuara. Zyrtarët ukrainas thanë se amerikanët nuk dukej se e kuptonin se si dronët e sulmit dhe teknologjitë e tjera kishin shndërruar fushën e betejës.

 

  • Në total, Ukraina ka rimarrë vetëm rreth 320 milje katrorë territor, me një kosto të mijëra të vdekurve dhe të plagosurve dhe miliarda dollarëve ndihmë ushtarake perëndimore vetëm në vitin 2023.

 

Gati gjashtë muaj pas fillimit të kundërsulmit, fushata është kthyer në një luftë tejet të ndërlikuar. Llogoret e lagura të stilit të Luftës së Parë Botërore mbështjellin Ukrainën lindore dhe jugore ndërsa dronët e mbikqyrjes dhe sulmit mbulojnë qiellin lart. Moska nisi sulmet me raketa ndaj objektivave civile në qytetet ukrainase, ndërsa Kievi po përdor raketa perëndimore dhe teknologjinë vendase për të goditur shumë prapa vijave të frontit – në Moskë, në Krime dhe në Detin e Zi.

Por linjat territoriale të qershorit 2023 mezi kanë ndryshuar. Dhe presidenti rus Vladimir Putin – në kontrast me heshtjen që ai mbajti shpesh në vitin e parë të luftës – trumbeton në çdo rast atë që ai e quan dështimin e kundërsulmit ukrianas.

“Sa i përket kundërsulmit, e cila supozohet se po ngec, ajo ka dështuar plotësisht”, tha Putin në tetor.

Gjenerali Mark A. Milley, në atë kohë kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit, takohet më 16 janar me udhëheqësit e ushtrisë amerikane përgjegjës për stërvitjen e ushtarëve ukrainas në Zonën Grafenwoehr në Gjermani

Stërvitje për betejë

Më 16 janar, pesë muaj përpara fillimit të kundërofensivës së Ukrainës, Gjenerali Mark A. Milley, në atë kohë kryetar i Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, vizitoi ushtarët e Kompanisë 47, vetëm disa ditë pasi njësia mbërriti në Zonën e Stëvitjes ‘Grafenwoehr’ në Gjermani .

Milley, i ndjekur nga stafi dhe zyrtarë të lartë ushtarakë me bazë në Evropë, kaloi me zigzage nëpër një poligon stërvitjeje me baltë e të ftohtë, duke shkëmbyer batuta me ushtarët ukrainas dhe duke parë teksa ata qëllonin mbi objektiva të palëvizshëm me pushkë dhe mitralozë M240B.

Baza ishte përdorur për të stërvitur  grupe të vogla ushtarësh ukrainas që nga viti 2014, kur Rusia pushtoi dhe aneksoi ilegalisht Gadishullin e Krimesë të Ukrainës. Në pritje të kundërofensivës, përpjekja u rrit me një ose më shumë batalione prej rreth 600 ushtarësh ukrainas që stërviteshin në të njëjtën kohë.

Në një tendë fushore të bardhë, Milley u mblodh me ushtarët amerikanë që mbikëqyrnin stërvitjen, të cilët i thanë atij se po përpiqeshin të përsërisnin taktikat ruse dhe të ndërtonin disa nga llogoret dhe pengesat e tjera me të cilat do përballeshin ukrainasit në betejë.

“E gjithë gjëja…që ata të jenë të suksesshëm me rusët është që ata të jenë në gjendje të gjuajnë dhe të manovrojnë,” tha Milley, duke përshkruar në terma bazë thelbin e strategjisë së “armëve të kombinuara” të kundërofensivës, e cila kërkonte manovra të bashkërenduara nga një forcë e madhe e këmbësorisë, tankeve, automjeteve të blinduara, inxhinierëve dhe artilerisë.

Nëse do ishin Shtetet e Bashkuara ose NATO, operacioni do kishte përfshirë gjithashtu fuqinë ajrore shkatërruese për të dobësuar armikun dhe për të mbrojtur trupat në terren, por ukrainasit do duhej të mjaftoheshin me pak ose aspak ndihmë ajrore.

Kompania 47 ishte përzgjedhur për të qenë një “forcë goditëse” në majë të kundërsulmit dhe do pajisej me armë perëndimore. Por ndërsa Milley bënte xhiron e tij dhe bisedonte me ushtarët ukrainas – nga të rinjtë në të 20-at e deri tek rekrutët e moshës së mesme – shumë prej tyre i thanë atij se vetëm kohët e fundit ishin larguar nga jeta civile dhe nuk kishin përvojë luftarake.

Milley heshti. Por më vonë, në takimin me trajnerët amerikanë, ai dukej se e pranoi rëndësinë dhe peshën e misionit.

“Jepuni atyre gjithçka që keni këtu,” tha ai.

Kompania 47 ishte një njësi e sapokrijuar e skeduar për stërvitje në Gjermani. Udhëheqja ushtarake e Ukrainës kishte vendosur që brigadat me më shumë përvojë do bllokonin rusët gjatë dimrit, ndërsa ushtarët e rinj do formonin brigada të reja, do stërviteshin jashtë vendit dhe më pas do drejtonin luftën në pranverë dhe verë.

Më shumë se një vit lufte – me deri në 130,000 trupa të vdekur ose të plagosur, sipas vlerësimeve perëndimore – kishte shkaktuar një humbje të madhe në forcat e armatosura të Ukrainës. Edhe brigadat më të forta nga beteja tani përbëheshin kryesisht nga zëvendësues të rekrutuar.

Rreth 70 për qind e ushtarëve në Kompaninë 47 nuk kishin ndonjë përvojë në fushën e betejës, sipas një komandanti të lartë në brigadë.

Ushtarët e Brigadës së 47-të të Mekanizuar të Veçantë në një vendndodhje të pazbuluar në Ukrainë më 17 maj, jo shumë kohë pasi u kthyen nga stërvitja e drejtuar nga SHBA-ja në Gjermani

Udhëheqja e kompanisë në fjalë ishte gjithashtu jashtëzakonisht e re – komandanti i saj, edhe pse i ashpër në luftë, ishte vetëm 28 vjeç dhe zëvendësi i tij ishte 25 vjeç. Rinia e tyre shihej si përparësi; oficerët e rinj do përvetësonin taktikat e NATO-s të pandikuar nga mënyra e luftës sovjetike, e cila ende përfshinte pjesë të ushtrisë ukrainase.

Disa nga ushtarët ukrainas menduan se trajnerët amerikanë nuk e kuptonin shkallën e konfliktit kundër një armiku më të fuqishëm.

“Prania e një numri të madh të dronëve, fortifikimeve, fushave të minuara dhe kështu me radhë nuk u morën parasysh,” tha një ushtar në Kompaninë 47, me nofkën ‘Joker’. Ushtarët ukrainas sollën dronët e tyre për të ndihmuar në përmirësimin e aftësive të tyre, tha ai, por trajnerët fillimisht kundërshtuan kërkesën për t’i integruar ata sepse programet e stërvitjes ishin të paracaktuara. Përdorimi i dronëve u shtua më vonë pas reagimeve të Ukrainës, tha një zyrtar amerikan.

Programi i SHBA-së kishte përfitime, tha Joker, duke përfshirë stërvitjen e përparuar në mot të ftohtë dhe mënyrën e rregullimit të zjarrit të artilerisë. Por shumë u harrua pasi plumbat e vërtetë nisën të vërshëllejnë.

“Duhej të përmirësonim taktikat gjatë betejës,” tha ai.

“Ne nuk mund t’i përdornim ato siç na mësuan.”

Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas thanë se nuk e prisnin kurrë që dy muaj stërvitje do t’i shndërronin trupa në një forcë të ngjashme me NATO-n. Në vend të kësaj, qëllimi ishte t’i mësonte ata të përdornin siç duhet tanket e tyre të reja perëndimore dhe automjetet luftarake, tha një zyrtar i lartë ushtarak amerikan.

Ushtarët dhe mekanikët në kompaninë 47 ngasin një automjet luftarak Bradley të prodhuar në SHBA në një punishte sekrete në rajonin e Zaporizhzhia në mes të korrikut

Asnjë urdhër për të sulmuar

Kur ushtarët nga Kompania 47 u kthyen në Ukrainë në pranverë, ata prisnin që kundërofensiva të fillonte pothuajse menjëherë. Në fillim të majit, brigada u zhvendos më afër vijës së frontit, duke fshehur mjetet Bradley dhe pajisjet e tjera perëndimore në rreshtat e pemëve të Zaporizhzhias rurale. Shenjat e Kompanisë 47-të në mjete u mbuluan në rast se vendasit dashamirës ndaj Rusisë mund të zbulonin vendndodhjen e tyre.

Por kaluan javë pa asnjë urdhër për të sulmuar. Shumë në njësi mendonin se elementi i befasisë kishte humbur.

“Udhëheqja politike nuk duhet të kishte shpallur kundërsulmimin tonë prej gati një viti”, tha një komandant i njësisë 47.

“Armiku e dinte se nga do të vinim.”

Milley dhe oficerë të tjerë të lartë ushtarakë amerikanë të përfshirë në planifikimin e ofensivës argumentuan që ukrainasit të grumbullonin forcat në një pikë kyçe në Zaporizhzhia, për t’i ndihmuar ata të kapërcenin mbrojtjen e ngurtë ruse dhe të siguronin një përparim të suksesshëm në lëvizjen drejt Melitopolit dhe Detit Azov.

Plani ukrainas, megjithatë, ishte të shtynte në tre akse – në jug përgjatë dy shtigjeve të dallueshme për në Detin Azov, si dhe në Ukrainën lindore rreth qytetit të rrethuar të Bakhmut, të cilin rusët e kishin pushtuar në pranverë pas një viti betejë e gjatë.

Udhëheqësit ushtarakë ukrainas vendosën që vendosja e shumë trupave në një pikë në jug do t’i linte forcat në lindje të prekshme dhe do t’u mundësonte rusëve të merrnin territorin atje dhe, potencialisht, në Kharkiv në verilindje.

Për të ndarë forcat ruse në Zaporizhzhia, brigadat e marinës ukrainase në skajin perëndimor të rajonit fqinj Donetsk do shtyheshin në jug drejt qytetit bregdetar të Berdyansk. Kjo bëri që brigadat e 47-të dhe të tjera, pjesë e asaj që Ukraina i referohej si Korpusi i saj i 9-të, të sulmonin përgjatë aksit kryesor të kundërofensive, drejt Melitopolit.

Plani kërkonte që Korpusi i 47-të dhe i 9-të të thyente vijën e parë ruse të mbrojtjes dhe të merrte Robotyne. Më pas, Korpusi i 10-të, i përbërë nga parashutistët e Ukrainës, do t’i bashkohej luftës në një valë të dytë që shtynte në jug.

“Ne menduam se do të ishte një detyrë e thjeshtë dyditore për të marrë Robotyne”, tha komandanti i një automjeti luftarak Bradley.

Një komandant i një automjeti luftarak Bradley, me nofkën ‘Sak’ me ekuipazhin e tij në gusht në rajonin e Zaporizhzhia

Minimi i të gjitha qasjeve

Ditë pas nisjes së kundërofensive, Oleksandr Sak, atëherë komandanti i Kompanisë 47, vizitoi një pozicion rus që trupat e tij kishin kapur. Ai vuri në dukje armët anti-drone, objektet e amjeve termike dhe dronët e vegjël të vëzhgimit, midis materialeve të tjera të braktisura.

“E kuptova se armiku ishte përgatitur,” tha ai.

“Ne nuk i kapëm ata në befasi, ata e dinin që ne po vinim.”

Gjithashtu lanë pas postera me propagandë ruse. Njëri tregonte një pamje të burrave duke u puthur në publik me një “X” të kuqe mbi të, pranë pamjes së një burri dhe një gruaje me dy fëmijë.

“Duke luftuar për familjet tradicionale”, thuhej në poster.

Ai gjeti gjithashtu një hartë që rusët e kishin përdorur për të shënuar fushat e tyre të minuara. Për vetëm një pjesë të frontit – rreth 6.5 km të gjatë dhe 6.5 km të thellë – ishin renditur më shumë se 20,000 mina.

“Nuk do thosha se ishte e papritur, por ne e nënvlerësuam atë,” tha ushtari me nofkën ‘Sak’.

“Ne kryem punë inxhinierike dhe zbulim ajror, por shumë mina ishin të maskuara ose të varrosura. Përveç atyre në vijën e frontit, kishte mina më të thella në pozicionet e armikut. Kaluam pozicionet e armikut dhe hasëm më shumë mina ku menduam se nuk kishte më.”

Një rreshter në Kompaninë 47 tha se teksa kërkonin në këmbë gjetën kurthe të shpërthimit në largësi, duke e përshkruar zbulimin e tyre si një “surprizë”.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë besonin se Ukraina mund të kishte bërë një përparim më të rëndësishëm duke pasur në përdorim më shumë njësi të zbulimit tokësor dhe duke pakësuar mbështetjen e saj te pamjet nga dronët, të cilët nuk ishin në gjendje të zbulonin minat e groposura, minat me tela ose kurthe të tjera.

Rajoni i Zaporizhzhias është i përbërë kryesisht nga fusha të sheshta dhe të hapura dhe rusët kishin zgjedhur se çfarë lartësie kishte për të ndërtuar mbrojtjet kryesore. Nga atje, ushtarët dhe zyrtarët thanë, njësitë ruse të armatosura me raketa antitank prisnin kolonat e automjeteve luftarake Bradley dhe tankeve gjermane Leopard. Një automjet për pastrimin e minave drejtonte gjithmonë grupin – dhe u shënjestrua i pari me ndihmën e dronëve të zbulimit.

“Ne vazhdimisht përballeshim me zjarrin antitank dhe shkatërronim deri në 10 sisteme raketore të drejtuara antitank ruse në ditë,” tha Sak. Por, shtoi ai, “ditë pas dite, atamorën më shumë sisteme”.

Rreth 60 për qind e pajisjeve të çminimit të Ukrainës u dëmtuan ose u shkatërruan në ditët e para, sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes ukrainase.

“Besimi i partnerëve tanë te manovrat e blinduara dhe thyerja e frontit nuk funksionoi,” tha zyrtari. “Duhej të ndryshonim taktikat.”

Brenda një jave nga fillimi i kundërsulmimit, ekipet e xhenierëve punonin në orët e muzgut, kur ishte mjaft e lehtë që ata të çminonin me dorë, por jo aq dritë sa rusët t’i dallonin. Pasi të pastronin një shteg të vogël, këmbësoria do ndiqte një përparim të ngadaltë dhe rraskapitës në rresht në të njëjtën kohë.

Ushtarët ukrainas përgatiten të heqin një minë antitank gjatë një stërvitjeje të korrikut në rajonin Dnipro, edhe pse trupat po luftonin për ecur në fushat e minuara ruse në kundërsulmin më në jug

Shpesh, kur ushtarët ukrainas arrinin në një pikë ruse, zbulonin se edhe ajo ishte bllokuar me mina. Dhe në vend që të tërhiqeshin, forcat ruse mbajtën pozicionet e tyre edhe nën bombardimet e rënda të artilerisë, që do të thotë se ukrainasit do duhej të angazhoheshin në luftime të ngushta me armë të vogla për të përparuar.

Në të gjithë rajonin e Zaporizhzhias, rusët kishin vendosur njësi të reja, të quajtura “Storm Z”, me luftëtarë të rekrutuar nga burgjet. Ish-të burgosurit sulmuan me valë njerëzore të quajtura “sulme mishi” dhe u përdorën për të ruajtur forcat më elitare. Rreth Robotyne – fshati që Kompania 47 supozohej të arrinte në ditën e parë të kundërofensive – ata u përballën me Brigadën e Këmbësorisë Detare të Gardës 810 të Rusisë dhe formacione të tjera të rregullta të ushtrisë.

“Robotyne ishte një nga detyrat më të vështira,” tha një anëtar i njësisë inxhinierike 810 në një intervistë me një bloger rus pro luftës.

“Duhej të bënim gjithçka për të parandaluar që armiku të depërtonte. Si xhenierë dhe inxhinierë, ne duhej të minonim të gjitha fushat nga ku mund të vinte si këmbësoria ukrainsë ashtu edhe mjetet e tyre. Leopardët e famshëm po digjen, dhe ne u përpoqëm të sigurohemi që ata do ngrinin në ajër mjaftueshëm tyme  flakë teksa digjeshin.”

Një pilot droni, pjesë e një njësie brenda Kompanisë 47, fluturon një dron të njohur si FPV, nga një pozicion bunkeri në jug në shtator

Flotat e dronëve

Në fillim të sulmit në Robotyne, një fole mitralozi ruse në një ndërtesë po pengonte këmbësorinë ukrainase të përparonte. Një kompani dronësh brenda Kompanisë 47 dërgoi dy drone të modifikuar të lidhur me eksploziv. Njëri kaloi nëpër një dritare dhe shpërtheu. Një tjetër, i udhëhequr nga një pilot me nofkën me shenjën e thirrjes ‘Sapsan’, hyri në një dhomë tjetër dhe shpërtheu municionin brenda, tha ai, duke vrarë gjithashtu disa ushtarë armiq.

Ishte një pikë e hershme kulmi në përdorimin e dronëve të vegjël si artileri e saktë goditëse. Operatorët e dronëve – të pajisur me një kufje që merr një furnizim video nga droni në kohë reale – po gjuanin për automjete të blinduara duke përdorur drone të njohur si FPV. FPV-të janë aq të sakta dhe të shpejta saqë mund të synojnë pjesët e dobëta të automjeteve, siç janë ndarjet e motorit dhe zinxhirët, thonë operatorët.

Por Rusia po vendos gjithashtu flota të të njëjtëve dronë sulmues të ndërtuar me dorë, të cilët kushtojnë më pak se 1000 dollarë secili dhe mund të çaktivizojnë një tank shumë milionë dollarësh.

Ndryshe nga municioni i artilerisë, i cili është një burim i çmuar si për Rusinë ashtu edhe për Ukrainën, dronët FPV me kosto të ulët dhe të disponueshme mund të përdoren për të goditur grupe të vogla këmbësorie – të komanduara drejtpërdrejt në llogore ose nga trupat në lëvizje.

Evakuimi i të plagosurve ose sjellja e furnizimeve të freskëta në një pozicion të vijës së parë u bënë gjithashtu detyra të vështira dhe potencialisht vdekjeprurëse, shpesh të kursyera për natën për shkak të kërcënimit të dronëve.

“Në fillim, problemi ynë ishin minat. Tani, janë dronët FPV,” tha Sentsov, komandanti i togës në Kompaninë 47.

“Ata godasin me saktësi objektivin dhe shkaktojnë dëme serioze. Ata mund të çaktivizojnë një Bradley dhe potencialisht edhe ta hedhin në erë. Nuk është një shpërthim i drejtpërdrejtë, por ata mund ta godasin në një mënyrë për ta bërë atë të digjet – jo vetëm ta ndalojnë automjetin, por edhe ta shkatërrojnë atë.”

Zyrtarët ushtarakë amerikanë, duke u mbështetur në doktrinën e tyre, bënë thirrje që artileria të përdoret për të shtypur armikun ndërsa forcat e mekanizuara tokësore përparojnë drejt objektivit të tyre.

“Duhet të lëvizni ndërsa gjuani me artileri,” tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.

“Kjo tingëllon shumë themelore, dhe është, por kështu duhet të luftohet. Përndryshe, ju nuk mund të ruani sasinë e artilerisë dhe municioneve që ju nevojiten.”

Por zyrtarët ukrainas kanë thënë se prania dhe vdekshmëria e llojeve të ndryshme të dronëve në të dy anët e vijës së frontit ka qenë faktori më i madh që i pengon ukrainasit ose rusët të fitojnë terren për muaj të tërë.

“Për shkak të zhvillimit teknik, gjithçka u ndal”, tha një zyrtar i lartë ushtarak ukrainas.

“Pajisjet që shfaqen në fushën e betejës jetojnë më së shumti për një minutë.”

Një ushtar ukrainas kalon pranë një tanku ukrainas të shkatërruar pranë Robotyne më 25 gusht, tre ditë para dates kur Kompania 47, do ta shpallte fshatin të çliruar

Kushtet kaotike të fushëbetejës

Kompania 47 pretendoi çlirimin e Robotyne më 28 gusht. Njësitë e sulmit ajror në Korpusin e 10-të të Ukrainës u zhvendosën më pas, por nuk ishin në gjendje të çlironin asnjë fshat tjetër. Vija e frontit është rritur gjithashtu statike përgjatë lëvizjes paralele në jug, ku marinsat ukrainas udhëhoqën shtytjen drejt qytetit Berdyansk të Detit Azov.

Pas rimarrjes së fshatrave Staromaiorske dhe Urozhaine në korrik dhe gusht, nuk ka pasur asnjë fitim të mëtejshëm terreni, duke i lënë forcat ukrainase larg Berdyansk dhe Melitopol.

Territori u rifitua në kundërofensivë ukrainase këtë vit

Gjatë gjithë verës, disa nga luftimet më të ashpra u zhvilluan në disa kilometra katrorë jashtë qytetit lindor Bakhmutit, përgjatë aksit të tretë të kundërofensive. Planifikuesit ukrainas të luftës e panë rifitimin e kontrollit të fshatit të vogël Klishchiivka si çelës për arritjen e epërsisë së zjarrit rreth skajeve jugore të qytetit dhe ndërprerjen e rrugëve ruse të furnizimit.

Në korrik, oficerët e policisë që i përkisnin Brigadës së sapoformuar Lyut, ose “Fury”, – një nga brigadat e krijuara dimrin e kaluar përpara kundërofensive – u vendosën në zonë. Brigada, e përbërë nga një përzierje oficerësh policie dhe rekrutësh me përvojë, kishte për detyrë të sulmonte pozicionet ruse në Klishchiivka, duke përdorur kryesisht të shtëna me armë zjarri dore dhe granata.

Pamjet video të operacioneve të Brigadës Lyut, të cilat iu dhanë The Ëashington Post, dhe intervistat me oficerët që morën pjesë në luftime zbulojnë kushtet intensive dhe nganjëherë kaotike në fushën e betejës.

Në një video të maarrë nga kamerat e trupit, nga shtatori, ushtarët futen dhe dalin nga rrënojat e shtëpive ndërsa granatimet e forta shpërthejnë rreth tyre. Duke lëvizur nga një shtëpi e bombarduar në tjetrën, forcat ukrainase kërkojnë rrënojat për ndonjë trupë ruse të mbetur – duke bërtitur që të dorëzohen përpara se të hedhin granata në bodrume.

Ditë më vonë, më 17 shtator, Ukraina njoftoi se kishte rimarrë Klishchiivka. Por rimarrja e tij nuk i ka lëvizur linjat rreth Bakhmut-it në ndonjë mënyrë domethënëse që atëherë.

“Klishchiivka është në fakt një varrezë e pajisjeve dhe trupave ruse,” tha komandanti i Brigadës Lyut, Koloneli i policisë Oleksandr Netrebko. Por ai gjithashtu pranoi: “Çdo metër katror i tokës së çliruar është i mbuluar me gjakun e njerëzve tanë”.

Shefi i i një njësie dronesh brenda Kompanisë 47 ecën në një rrugë në frontin jugor në shtator për të kontrolluar rrethinën e njësisë

Shtohet zhgënjimi

Pa ndonjë përparim të madh, zyrtarët amerikanë u bënë gjithnjë e më të shqetësuar gjatë verës që Ukraina nuk po i përkushtonte mjaft forca një prej akseve jugore, duke pasur parasysh pikëpamjen amerikane për vlerën e saj strategjike.

Në veri dhe në lindje, gjenerali Oleksandr Syrsky kontrollonte gjysmën e brigadave të Ukrainës, të cilat kalonin nga Kharkivi përmes Bakhmut deri në Donetsk. Ndërkohë, Gjenerali Oleksandr Tarnavsky kontrollonte gjysmën tjetër të brigadave aktive, duke luftuar përgjatë dy akseve kryesore në jug.

Zyrtarët amerikanë e panë ndarjen rreth 50-50 të forcave ukrainase si të gabuar dhe donin që më shumë forca të zhvendoseshin në jug.

Gjenerali Oleksandr Tarnavsky kontrolloi gjysmën e brigadave në kundërofensivë, duke luftuar përgjatë dy akseve kryesore në jug. Në veri dhe në lindje, gjenerali Oleksandr Syrsky kontrollonte gjysmën tjetër.

“Sigurisht që armiku do përpiqet të shkatërrojë automjetet tuaja që pastrojnë minat,” tha zyrtari i lartë ushtarak amerikan, duke shtuar se kishte metoda për t’i kamufluar ato, duke përfshirë përdorimin e tymit.

Por vlerësimi i qasjes së Kievit dhe nxitja për ndryshime ishte një detyrë e ndërlikuar. Një oficer që e bëri këtë ishte Gjenerali Christopher Cavoli, i cili si kreu i Komandës Evropiane të SHBA-së mbikëqyri shumë nga përpjekjet e Pentagonit për të stërvitur dhe pajisur ushtrinë e Ukrainës. Milley, në të kundërt, shpesh kishte një ton më optimist dhe motivues

Cavoli, megjithatë, nuk mundi të kontaktonte me Zaluzhny gjatë një pjese të verës, një fazë kritike e kundërofensive, thanë tre persona të njohur me këtë çështje. Cavoli nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje. Një zyrtar i lartë ukrainas vuri në dukje se Zaluzhny foli me Milley, homologun e tij të drejtpërdrejtë, gjatë gjithë fushatës.

Nga gushti, edhe Milley kishte filluar të shfaqte pak zhgënjim.

Ai “filloi t’i thoshte Zaluzhnyt: “Çfarë po bën?”, tha një zyrtar i lartë i administratës Biden.

Gjeneral Christopher Cavoli, në qendër, kreu i Komandës Evropiane të SHBA-së, dhe Gjeneral-Lant. Antonio Aguto, djathtas, kreu i Grupit të Ndihmës për Sigurinë-Ukrainë, vizitojnë Zonën e Trajnimit Grafenwoehr në Gjermani më 7 korrik

Ukrainasit këmbëngulnin se Perëndimi thjesht nuk po u jepte atyre fuqinë ajrore dhe armët e tjera të nevojshme për të pasur sukses një strategji të kombinuar të armëve.

“Ju dëshironi që ne të vijojmë me kundërsulmin, ju dëshironi që ne të tregojmë përparimet e shkëlqyera në vijën e parë”, tha Olha Stefanishyna, zëvendëskryeministre për Integrimin Evropian dhe Euroatlantik të Ukrainës.

“Por ne nuk kemi avionë luftarakë, që do të thotë se ju dëshironi që ne të hedhim ushtarët tanë në fronte dhe pranoni vetë faktin që ne nuk mund t’i mbrojmë ata.”

Kur aleatët thanë jo, ajo tha, “Ne na u duk sikur thatë se “Ne jemi dakord që ushtarët tuaj të vdesin pa mbështetje nga ajri.”

Në një video-konferencë të gushtit, e ndjekur së shpejti nga një takim personal pranë kufirit Poloni-Ukrainë, zyrtarët ushtarakë amerikanë ushtrian presion për çështjen e tyre. Ata thanë se e kuptonin logjikën e ngacmimit të forcave ruse në pika të ndryshme në front, por argumentuan se përparime të thella nuk do kishte nëse ukrainasit nuk grumbullonin më shumë forca në një pikë të vetme për të lëvizur shpejt dhe me vendosmëri.

Zaluzhny, si përgjigje, i parashtroi sfidat në terma të rreptë: pa mbështetje nga ajri, më shumë mina  sesa pritej dhe një forcë ruse që arriti të ndërtonte pozitat mbrojtëse në mënyrë mbresëlënëse dhe të lëvizte rezervat e saj në mënyrë efektive për të mbyllur boshllëqet”.

“Unë nuk do ta karakterizoja atë takim si një takim të tipit “ejani te Jezusi” dhe një dramë masive – shkoni majtas, shkoni djathtas,” tha Milley në një intervistë.

“Nuk do ta thosha këtë. Unë do thosha se kjo është rrjedha normale e biznesit ku udhëheqësit profesionistë takohen në mënyrë rutinore për të vlerësuar situatën dhe rregullimet që po ndodhin, në terren.”

Në korrik, teksa Ukraina nuk kishte predha artilerie dhe kundërofensiva u lëkund, administrata Biden ndryshoi pozicionin për sa i përket furnizimit të Ukrainës me municione artilerie me rreze të gjatë, me presidentin që kundërshtoi shqetësimet e Departamentit të Shtetit se rreziqet e reputacionit ishin shumë të larta duke pasur parasysh historinë e armëv në fjalë për vrasjen ose plagosjen e civilëve.

Vendimi përfundimtar kyç për transferimet e armëve erdhi në shtator, kur administrata ra dakord të siguronte një variant të Sistemit Raketor Taktik të Ushtrisë, i njohur si ATACMS. Raketat nuk ishin varianti i goditjes së thellë që kishte kërkuar Kievi, me Shtetet e Bashkuara që përkundrazi zgjodhën një armë me rreze më të shkurtër veprimi që hedh nënmunicione thërrmuese.

Ndonëse të dobishme, thanë zyrtarët ukrainas, as lëshuesit ATACMS dhe as armët e tjera  nuk e kanë thyer bllokimin e fushëbetejës.

As strategji të tjera. Gjatë gjithë kundërofensive, Ukraina ka vazhduar të godasë shumë prapa linjave të armikut në një përpjekje për të dobësuar forcat ruse dhe për të mbjellë panik brenda shoqërisë ruse.

Kievit nuk i lejohet të përdorë armë perëndimore për sulme ndaj Rusisë, kështu që në vend të tyre është përdorur një flotë dronësh të prodhimit vendas. Disa kanë arritur të godasin objektivat në Moskë, ndërsa të tjerët kanë dëmtuar depot ruse të naftës përgjatë Detit të Zi. Dronët detarë kanë goditur gjithashtu me sukses anijet në flotën ruse të Detit të Zi.

Ukraina kohët e fundit ka fituar terren në rajonin jugor të Khersonit, duke vendosur pozicione trupash në bregun lindor të lumit Dneiper, por është e paqartë se sa shumë armatime – veçanërisht artileri – janë zhvendosur përtej lumit për të kërcënuar linjat ruse të furnizimit që rrjedhin nga Krimea.

Ukraina ka ndaluar së kërkuari më shumë tanke dhe automjete luftarake, pavarësisht se ka lobuar intensivisht për to gjatë vitit të parë të luftës.

“Shumë armë,” tha një zyrtar i lartë ushtarak ukrainas, “ato ishin të rëndësishme vitin e kaluar”.

Anëtarët e Brigadës së 93-të të Mekanizuar të Ukrainës, ose “Kholodny Yar”, në frontin lindor më 2 qershor, vetëm disa ditë përpara se të niste kundërofensiva

Linjat e ngrira

Në fund të shtatorit, në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u pyet pse ushtria e tij vazhdoi të angazhonte kaq shumë forca në lindje dhe jo në jug. Zelensky tha se nëse rusët humbnin lindjen, ata do humbnin luftën, sipas një personi të njohur me bisedën.

Zelensky pranoi pikëpamje të ndryshme midis disa prej komandantëve të tij, tha personi. Por shumica e zyrtarëve të lartë ushtarakë ukrainas vazhduan të besonin se hedhja e më shumë trupave në një pjesë të frontit nuk do çonin në një përparim.

Më pas, në mes të tetorit, rusët provuan pikërisht atë në një sulm të ashpër në qytetin lindor të Ukrainës Avdiivka, i cili ndodhet në një xhep gjeografikisht strategjik afër qytetit të pushtuar nga Rusia, Donetsk. Tani ishin rusët në ofensivë, me katër brigada që lëviznin në kolona tankesh dhe transportuesish të personelit dhe kalonin në një rrip të ngushtë të frontit.

Automjetet inxhinierike me pastrues të minave kryesuan sulmin. Ishte pikërisht mënyra se si ukrainasit e kishin nisur kundërsulmin e tyre. Dhe në mënyrë të ngjashme, rusët pësuan humbje të rënda – zyrtarët ukrainas pretenduan se më shumë se 4,000 trupa ruse u vranë në tre javët e para të sulmit – përpara se të kalonin në një qasje jetër, ashtu siç kishin bërë ukrainasit.

Në fillim të tetorit, Brigada 47, pas një pushimi të shkurtër nga luftimet, u kthye përsëri në kundërofensivë. Zelensky ishte zotuar publikisht se Ukraina do vazhdonte shtytjen e saj gjatë dimrit, kur moti do e bënte çdo përparim edhe më të vështirë.

Sidoqoftë, nga fundi i tetorit, trupat e Kompanisë 47 u zhvendosën papritmas në lindje, për të mbrojtur krahun verior të Avdiivka. Armët perëndimore të brigadës – tanket gjermane Leopard dhe automjetet luftarake amerikane Bradley – shkuan me ta.

Gjenerali Valery Zaluzhny, komandanti i lartë i Ukrainës, mbërrin më 25 nëntor për të vendosur një qiri në Muzeun Kombëtar të Holodomor në Kiev

Zhvendosja në Avdiivka ishte një surprizë për brigadën, por ishte gjithashtu një sinjal se operacioni në Zaporizhzhia ishte ngrirë përgjatë linjave kryesisht fikse. Dhe pas linjave të tyre, rusët kishin vazhduar të ndërtonin fortifikime mbrojtëse gjatë verës dhe vjeshtës, sipas pamjeve satelitore. Rreth fshatit Romanivske, në juglindje të Robotyne, kanale antitank dhe piramida betoni në tre shtresa për të shuar çdo përpjekje të mëtejshme të Ukrainës për të përparuar.

Më 1 nëntor, në një intervistë me Economist, Zaluzhny pranoi atë që më parë kishte qenë e pashqiptueshme – lufta kishte arritur në “ngërç”.

“Me shumë mundësi”, tha ai, “nuk do ketë përparim të rëndësishëm”.

*Redaktimi i shkrimit nga Peter Finn dhe David M. Herszenhorn. Redaktimi i projektit nga Reem Akkad. Hartat nga Laris Karklis. Redaktimi grafik nga Samuel Granados. Foto ilustrime nga Emily Sabens. Redaktimi i fotografisë nga Olivier Laurent. Redaktimi i kopjes nga Martha Murdock.

Burimet e hartës: Instituti për Studimin e Luftës dhe Projekti i Kërcënimeve Kritike të Institutit Amerikan të Ndërmarrjeve; OpenStreetMap. Brady Africk, i cili analizoi pamjet satelitore nga Copernicus Open Access Hub, siguroi të dhëna për fortifikimet, të cilat nuk përfshijnë të gjitha fortifikimet në Ukrainë; disa mbrojtje i paraprijnë pushtimit të plotë të Rusisë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani