Vendosni fjalën kyçe....

‘Meta’ ndalon rrjetin e mijëra llogarive të rreme me bazë në Kinë 


Meta thotë se kohët e fundit shkatërroi një rrjet me mijëra llogari të rreme dhe mashtruese me bazë në Kinë.  Përdoruesit u paraqitën si amerikanë dhe kërkuan të përhapnin përmbajtje polarizuese rreth politikës amerikane dhe marrëdhënieve SHBA-Kinë.  

Ndër temat për të cilat rrjeti postoi ishin aborti, çështjet e luftës së kulturës dhe ndihma për Ukrainën.  Meta nuk e vuri përgjegjësinë tek profilet e zyrtarëve të Pekinit, por vuri re një rritje të rrjeteve të tilla me bazë në Kinë përpara zgjedhjeve në SHBA të vitit 2024.

Kina është tani burimi i tretë më i madh gjeografik i rrjeteve të tilla, tha kompania, pas Rusisë dhe Iranit.  Uljet e fundit u përshkruan në një raport tremujor kërcënimi lëshuar të enjten nga kompania mëmë e Facebook, Instagram dhe WhatsApp.  

Rrjeti me bazë në Kinë përfshiu më shumë se 4,700 llogari dhe përdori fotografi profili dhe emra të kopjuar nga përdorues të tjerë anembanë botës.  Llogaritë ndanë dhe pëlqyen postimet e njëri-tjetrit, dhe një pjesë e përmbajtjes dukej se ishte marrë direkt nga X, më parë Twitter.

Në disa raste llogaritë kopjuan dhe pasuan poste tekstualisht nga politikanët e SH.B.A.-së – si republikan, ashtu edhe demokratët, duke përfshirë ish-Kryetaren e Dhomës Nensi Kerri, Guvernatorin e Miçiganit Gretchen Whitmer, Guvernatorin e Floridës Ron DeSantis, Përfaqësuesit Matt Gaetz dhe Jim Jordan, dhe të tjerë.  

Rrjeti nuk shfaqi qëndrueshmëri ideologjike.  Në shembujt e publikuar nga Meta, një llogari në rrjetin me bazë në Kinë ripostoi fjalët e përmbajtura në një tweet në fillim të këtij viti nga kongresmenja demokrate Sylvia Garcia. Ajo kritikoi ligjet e Teksasit për abortin dhe shkroi: ‘Le të kujtojmë se aborti është kujdes shëndetësor.’

Por një llogari tjetër në rrjet kopjoi dhe pastroi një tweet nga Përfaqësuesi Republikan Roni Xhekson, i cili shkroi: ‘Dollarët e taksapaguesve nuk duhet të financojnë kurrë udhëtimin për aborte.’  Në raportin e Metës thuhej: ‘Është e paqartë nëse kjo metodë ishte projektuar për të amplifikuar tensionet partizane, për të ndërtuar audiencë mes mbështetësve të këtyre politikanëve, apo për të bërë që llogaritë e rreme që ndajnë përmbajtje autentike të duken më të sinqerta.’  

Rregullat e moderimit të kompanisë ndalojnë atë që Meta e quan ‘sjellje joautentike e bashkërenduar’,  postime nga grupe llogarish që punojnë së bashku dhe përdorin identitete të rreme për të mashtruar përdoruesit e tjerë.

Shpesh përmbajtja e shpërndarë nga rrjete të tilla nuk është e rreme dhe përmend lajme të sakta nga organe të mëdha të medias. Por në vend që të përdoren për komente apo debate të ligjshme, postet kanë për qëllim të manipulojnë opinionin publik, të shtyjnë përçarjen dhe të bëjnë që pikëpamjet e veçanta të duken më popullore se ç’janë në të vërtetë.  

Meta tha se rrjeti i madh kinez u ndalua para se të nisej mes përdoruesve të vërtetë.  Ben Nimmo, i cili drejton hetimet në sjelljen joautentike në platformat e kompanisë, tha se rrjete të tilla ‘ende luftojnë për të ndërtuar audiencë, por ato janë një paralajmërim’.

‘Aktorët e kërcënimit të huaj po përpiqen të arrijnë njerëzit anembanë internetit përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm dhe ne duhet të qëndrojmë vigjilentë.’  

Kompania tha se zbuloi gjithashtu dy rrjete më të vogla, një me bazë në Kinë dhe duke u fokusuar në Indi dhe Tibet, dhe një me bazë në Rusi e cila postoi kryesisht në anglisht rreth pushtimit të Ukrainës dhe promovoi kanalet Telegram.  

Rrjetet ruse, të cilat e shtynë kompaninë të përqëndrohet në fushatat joautentike pas zgjedhjeve të vitit 2016, janë përqendruar gjithnjë e më shumë në luftën në Ukrainë dhe janë përpjekur të minojnë mbështetjen ndërkombëtare për Kievin, thuhet në raport.

Meta vuri në dukje gjithashtu se qeveria e SHBA ndaloi ndarjen e informacionit rreth rrjeteve të ndikimit të huaj me kompaninë në korrik, pas një vendimi federal si pjesë e një çështjeje ligjore mbi Amendamentin e Parë që tani është në shqyrtim nga Gjykata e Lartë.  

Rasti është pjesë e një debati më të madh rreth asaj në se qeveria e SHBA punon me kompanitë teknologjike për të kufizuar tepër lirinë e shprehjes së përdoruesve të medias sociale.

VINI RE:Ky material është pronësi intelektuale e BBC.