Vendosni fjalën kyçe....

Mbledhja në PD – Violeta godet Salianjin, Basha e mbron me trup, Grida thyen gotën, Pampuri i shan të gjithë


Ajo çfarë ka ndodhur në mbledhjen e PD-së, jo vetëm që është shumë larg të bërit politikë, por është shumë larg edhe nëse e krahason me sherret e grave të lagjes.

Burime nga mbledhja për Hashtag.al thonë se gjithçka ka nisur kur deputetja Oriola Pampuri ka thënë se synimi i PD-së në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit nuk ka qenë fitimi i gjashtë bashkive, sepse kjo është e pabesueshme.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Ervin Salianji, i cili ka ulëritur duke i kërkuar Bashës që t’i kërkonte Pampurit ta tërhiqte deklaratën, ndërkohë që ajo ulërinte nga krahu tjetër.

Pas kësaj përplasjeje, Basha e ka marrë Salianjin dhe ka dalë jashtë me të për të ulur gjakrat, po aty ka shpërthyer përplasja edhe më keq.

Mësohet se zonja Violeta Geci, e cila është shfaqur si personazh gjatë përplasjeve me grupin e Berishës para disa muajsh, ka tentuar të godasë me grusht Ervin Salianjin.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të PD-së Basha, i cili e ka mbrojtur deputetin me trupin e tij.

Pas kësaj në mbledhje ka pasur një histeri në grup dhe ish-nënkryetarja e PD-së, Grida Duma ka thyer një gotë duke i ulëritur Bashës për personat që kishte futur brenda. Ndërkohë ka vijuar debati me Salianjin që ka sharë Pampurin.

Më herët sekretari Bardhi, dy nënkryetarët e PD-së Alibeaj e Tabaku si dhe pjesa dërrmuese e deputetëve i kanë kërkuar Bashës që të dorëhiqet si kryetar e t’i hapë rrugën bashkimit me pjesën e Foltores së Berishës.

Një pjesë e deputetëve mes të cilëve Alibeaj, Xhaferri e të tjerë kanë theksuar se largimi i Bashës duhet të shoqërohet me tërheqjen e Berishës si një mundësi për bashkimin e PD-së. /Hashtag.al