Vendosni fjalën kyçe....

Stoltenberg në Beograd: Grumbullimi i ushtrisë serbe pranë Kosovës nuk ndihmon situatën


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të martën në Beograd se grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk ndihmon në qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u tensionuan dukshëm më 24 shtator kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë të Zviceranit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Tre sulmues serbë u vranë në luftimet që pasuan.

Pak kohë pas sulmit, Serbia i dërgoi forcat e saj në afërsi të kufirit kosovar, para se t’i tërhiqte pas reagimit të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

“Të dy palët duhet t’i ulin tensionet dhe të vetëpërmbahen nga veprimet përshkallëzuese”, tha Stoltenberg në një konferencë për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të martën paradite.

Përgjegjësinë për sulmit e 24 shtatorit e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Serbia ka zhvendosur trupat e saj pranë kufirit me Kosovën disa herë edhe në të kaluarën.

Grumbullimi i forcave të Ushtrisë Serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk do të ndihmonte në qetësimin e situatës”, tha Stoltenberg./REL