Vendosni fjalën kyçe....

Shqiptarja dënohet me 7 vite burg në Britani, shërbeu si ndërmjetëse për trafikun e emigrantëve


Shtetasja shqiptare Ujeza Kurmekaj, e cila jetonte në Banbury, u deklarua fajtore për lehtësimin e imigracionit të paligjshëm në Gjykatën e Kurorës së Oksfordit.

Oficerët e Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) e lidhën atë me kontrabandën e njerëzve përmes qindra mesazheve të gjetura në telefonin e saj. Ajo do të dëbohet në fund të dënimit të saj prej shtatë vjet e gjysmë burg. Pasi ajo u arrestua në tetor 2022, hetuesit zbuluan se u kishte dërguar udhëzime kontakteve në Francë duke detajuar se kë duhet të merrnin. Mesazhe të tjera flisnin për kushtet në Kanalin Anglez, duke përfshirë një që thoshte: “Det shumë i keq”.

Kishte gjithashtu shenja të vendndodhjes në hartë që udhëzonin kontrabandistët se ku të merrnin emigrantët ose ku ishin vendosur varkat në Kanal. NCA tha gjithashtu se telefoni i saj përmbante 21 imazhe të kartave të identitetit dhe pasaportave shqiptare, të cilat, kur u kontrolluan, tregonin se nëntë nga individët kishin mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla. Andy MacGill, oficer i lartë hetues i NCA, tha: “Ujeza Kurmekaj luajti një rol të madh si ndërmjetëse, duke lidhur emigrantët me kontrabandistët e njerëzve që mund t’i transportonin në udhëtime të rrezikshme përtej Kanalit. “Për këtë ‘shërbim’ ajo do të merrte pagesa prej qindra eurosh për person”. “Kurmekaj kishte pak interes për sigurinë e njerëzve”, shtoi ai.