Vendosni fjalën kyçe....

Hungaria e konsideron akt armiqësie rritjen e tarifave të tranzitit të gazit natyror nga Bullgaria


Kreu i diplomacisë hungareze, Péter Szijjártó, tha se askush nuk ka të drejtë të kërcënojë furnizimin me energji të vendeve të tjera, duke shtuar se vendimin e Bullgarisë për të rritur tarifën e transitit për gazin natyror e konsideron një “akt armiqësie”

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë i Hungarisë, Szijjártó, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ndodhet për një vizitë pune në Shkup.

Në konferencën e përbashkët për media, të dy ministrat thanë se diskutuan edhe për sigurinë e furnizimit me energji, ku Szijjártó theksoi se askush nuk ka të drejtë të kërcënojë furnizimin me energji të vendeve të tjera.

“Prandaj, hapi më i fundit i ndërmarrë nga Bullgaria, e cila me një ultimatum rriti tarifat për Hungarinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, pra tarifat e tranzitit për gazin natyror, është një hap armiqësor, një akt armiqësie nga ana e Bullgarisë. Pa negociata, ata morën këtë vendim që mund të jemi të sigurt se do të rrezikojë sigurinë e furnizimit me energji për Hungarinë dhe Maqedoninë e Veriut, kjo është e papranueshme dhe askush nuk ka të drejtë të rrezikojë furnizimin me energji për asnjë shtet dhe për këtë arsye hapi i Bullgarisë në rritjen e tarifave të tranzitit është një hap jomiqësor”, tha Szijjártó.

Ai theksoi se Hungaria është e gatshme t’i japë një përgjigje të duhur dhe të matur këtij hapi në kuadër të Bashkimit Evropian (BE), duke shtuar se të hënën kanë filluar procedurën penale kundër Bullgarisë.

Në këtë drejtim, ministri Osmani tha se Maqedonia e Veriut konsideron se tarifa e vendosur nga Bullgaria është e paligjshme, në kundërshtim me rregullat evropiane.

Ai shtoi se vendi ka informuar Komisionin Evropian dhe ka diskutuar me kolegun e tij hungarez për një qasje të koordinuar në marrjen e iniciativave për të hequr këtë tarifë.

“18 vjet me status kandidat të mos mund të fillojë negociatat është e neveritshme”

Shefi i diplomacisë hungareze tha se me Osmanin kanë biseduar edhe për tema të tjera shumë të rëndësishme, me fokus zgjerimin e BE-së.

Ai tha se kjo po ndodh në një kohë kur BE-ja po përballet me sfida dhe dilema serioze, duke shtuar se BE-ja duhet të kuptojë se ka nevojë për Ballkanin Perëndimor.

“Ka ende disa shtete anëtare që pengojnë, ngadalësojnë dhe vendosin pengesa në këtë proces integrues dhe për ne kjo është e tmerrshme. Është e tmerrshme që Bullgaria bllokoi letrën që duhej t’i dërgohej Maqedonisë së Veriut disa javë më parë. Maqedonia e Veriut ka qenë vend kandidat për 18 vjet dhe për 18 vjet me status kandidat të mos mund të fillojë negociatat është e neveritshme dhe tregon mungesë respekti për vendin”, tha Szijjártó.

Ai theksoi se kjo është në kundërshtim me interesat e BE-së, duke shtuar se ata që i bllokojnë këto negociata po cenojnë besueshmërinë e BE-së.

Szijjártó theksoi se kur Hungaria të marrë presidencën e BE-së, do të bëjë gjithçka që është e mundur për të siguruar që anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit Perëndimor të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ministri Osmani theksoi procesin e anëtarësimit të vendit në BE si një nga çështjet më të rëndësishme të diskutuara me homologun e tij hungarez.

“Vitin e ardhshëm, në gjysmën e dytë të vitit, Hungaria do të kryesojë me BE-në dhe pres, si më parë, që Hungaria të mbështesë fuqishëm integrimin tonë evropian, prandaj ne të gjithë duhet të jemi të bashkuar për idenë evropiane dhe të sigurojmë që pas kaq shumë vitesh pritje, nuk do të ketë më ndalesë në procesin e anëtarësimit në BE në një kohë kur ai faktikisht po përshpejtohet për shkak të rrethanave gjeopolitike”, tha Osmani.

Ai kujtoi nevojën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, për të cilat i bëri thirrje edhe një herë opozitës “të mos e refuzojë këtë mundësi unike që është përpara nesh”.

Osmani i vlerësoi si “të ngushta dhe miqësore” marrëdhëniet me Hungarinë, e cila është partneri i 10-të tregtar i Maqedonisë së Veriut dhe investitori i 8-të i huaj në vend.