Vendosni fjalën kyçe....

Pamjet satelitore zbulojnë varre masive në qytetin ukrainas, Zelensky akuzon Rusinë për “gjenocid”


Varre masive janë zbuluar në Bucha dhe rajonet e tjera përreth Kievit, në Ukrainë.

Imazhet satelitore sipas “Reuters” tregojnë një kanal 45 metra të gjatë të gërmuar në terrenin e një kishe ukrainase, ku u gjet një varr masiv këtë javë pasi forcat ruse u tërhoqën nga qyteti i Bucha.

Gazetarët që vizituan këtë qytet të shtunën panë trupa të shtrirë në rrugët e qytetit, që ndodhet 37 km në veriperëndim të kryeqytetit Kiev.

Ukraina akuzoi forcat ruse të dielën për kryerjen e një “masakre” në qytet, por Rusia i mohoi akuzat, duke i quajtur ato një “provokim” nga Ukraina.

“Maxar Technologies”, një kompani private amerikane e cila mbledh dhe publikon imazhe satelitore të Ukrainës, tha se shenjat e para të gërmimit për një varr masiv në Kishën e Shën Andrew dhe Pyervozvannoho të Gjithë Shenjtorëve u panë më 10 mars.

Ukraina dhe vendet perëndimore kanë akuzuar trupat ruse për krime lufte të dielën, pas zbulimit të varreve masive dhe “ekzekutimit” të civilëve pranë Kievit, duke nxitur premtime për veprim në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Pas këtyre raporteve, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky e ka akuzuar Rusinë për kryerjen e një gjenocidi ndaj popullit ukrainas.

“Në të vërtetë, ky është gjenocid.”- tha Zelensky për CBS.

Britania, Franca, Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe NATO shprehën të gjitha tmerret ndaj raporteve për gati 300 trupa të shtrirë në rrugë në Buca, disa prej të cilëve dukej se ishin lidhur me duar dhe këmbë përpara se të qëlloheshin.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se dhuna, e paparë në Evropë për dekada, ishte “e tmerrshme” dhe “absolutisht e papranueshme”.