Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Shkodrës vendos për ekstradimin e shtetasit rus


Gjykata e Shkodrës ka dhënë vendimin për lejimin e ekstradimit të shtetasit rus Igor Kokunov. Ai akuzohet për veprën penale të marrjes së detyrave në hierarkinë e lartë të strukturave kriminale në Rusi.

Raportohet se shkresa për ekstradim është firmosur nga zëvendës prokurori i përgjithshëm i Rusisë dhe jo nga prokurori apo ministri i Drejtësisë së Rusisë.

Avokati mbrojtës u shpreh se vepra penale për të cilën është i dyshuar Kokunov si pjesë e hierarkisë së lartë kriminale në Rusi nuk është e parashikuar në kodin penal të Shqipërisë dhe në asnjë dispozitë tjetër ligjore. Avokati shprehet se klienti i tij nuk mund të ekstradohet në një shtet si Rusia që shkel të drejtat e njeriut.

Avokati i tij mbrojtës, Isuf Shehu, tha se do të ankohet në Gjykatën e Apelit ndaj këtij vendimi.

“Kërkojmë të mos ekstradohet dhe kjo lidhet me arsye humanitare. Në Rusi nuk garantohet e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, dhe ka keqtrajtime në paraburgime dhe në burgje”, tha Shehu.

I pyetur për praninë e lartë të forcave të Policisë dhe të atyre operacionale pranë gjykatës kur po zhvillohej seanca ndaj Kokunov, Shehu tha se “është e tepruar”, dhe se shtetasi rus “nuk përbën rrezikshmëri.”

Ai, gjithashtu, mohoi edhe raportimet në mediat shqiptare se “Kokunov është pjesë e grupeve të rrezikshme kriminale që veprojnë edhe në Ballkan”.

Operacioni për arrestimin e tij në gusht të këtij viti u kodua “Moscow” dhe u zhvillua në bazë të informacioneve të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tirana dhe Interpol Moska.

Rusi kërkoi azil politik në Shqipëri, me pretendimin se në Rusi i rrezikohet jeta, por gjykata vendosi për ekstradim. Igor Kokunov ndodhej në burgun e Reçit në Malësinë e Madhe dhe pak kohë më parë kishte informacion se grupet kriminale të Beogradit në Serbi dhe Kotorrit në Malin e Zi do tentonin lirimin e tij përmes arratisjes ndaj edhe për të janë marrë masa të rrepta sigurie.