Vendosni fjalën kyçe....

Buxheti i bashkisë së Tiranës, Braimllari: Këshilltarët e PL-së do kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie të plotë


Grupi i këshilltarëve bashkiakë të Tiranës të Partisë së Lirisë deklaroi sot se bashkia e Tiranës është kthyer në institucion të bunkerizuar.

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari në një dalje për mediet deklaroi se kryebashkiaku Veliaj menaxhon një buxhet prej 265 milionë euro në vit nga të cilat rreth 200 milionë euro vijnë nga paratë e qytetarëve të Tiranës dhe në këmbim këtyre të fundit nuk u ofrohet transparencë.

“Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies është kthyer në simbol për Bashkinë e Tiranës”, u shpreh ai.

Braimllari u shpreh se, në emër të këshilltarëve të Partisë së Lirisë, në Këshillin Bashkiak të Tiranës do dërgohet kërkesë për informacion mbi të gjitha vendimet e Këshillit Bashkiak të Tiranës për periudhën shtator 2019 – shtator 2023, shoqëruar me procesverbalet e mbledhjeve dhe relacionet e miratuara në komisionet përkatëse.

“Këshilltarët e Partisë së Lirisë angazhohen për transparencë dhe llogaridhënie të plotë përpara çdo qytetari të Tiranës, mbi mënyrën e përdorimit të taksave dhe tarifave që ata paguajnë. Askush nuk duhet të ketë frikë nga transparenca dhe llogaridhënia”, tha Braimllari.