Vendosni fjalën kyçe....

Shpyllëzimi i Amazonës në Brazil bie me 22.3 për qind


Prerjet e paligjshme dhe shpyllëzimi në pyjet tropikale të Amazonës në Brazil ranë me 22.3 për qind midis gushtit 2022 dhe korrikut 2023, transmeton Anadolu.

Qeveria në një deklaratë tha se kjo shënon sipërfaqen më të vogël të shpyllëzuar që nga viti 2019. Gjithashtu thuhet se gjatë kësaj periudhe, një sipërfaqe prej 9.001 kilometra katrorë u shpyllëzua, shkruan AA.

Deklarata tha se presidenti Luiz Inacio Lula da Silva ka luftuar në mënyrë aktive për mbrojtjen e pyjeve tropikale të Amazonës në shtatë muajt e parë të mandatit të tij, por ulja e arritur është ende larg qëllimit të synuar.

Ministrja e Mjedisit, Marina Silva në një konferencë për media tha se qeveria është e angazhuar për eliminimin e plotë të kësaj çështje deri në vitin 2030 si pjesë e luftës aktive kundër shpyllëzimit.

Silva përmendi thatësirën serioze në shtetin Amazonas lidhur me fenomenin El Nino dhe ndryshimet klimatike. “Ne e dinim se kjo ishte një sfidë e rëndësishme, por e rritëm kapacitetin tonë monitorues me 200 për qind dhe plani po jep rezultate shumë të shpejta”, tha ajo.

Amazona, e njohur si pylli tropikal më i madh në botë, përballej me shpyllëzim të konsiderueshëm çdo vit gjatë mandatit të ish-presidentit të ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro.