Vendosni fjalën kyçe....

Dhunoi 3-vjeçaren në kopshtin privat, prokuroria kërkon burg për edukatoren


Prokuroria Tiranë kërkon ‘Arrest në burg’ për Majlinda Dehiman, edukatoren e kopshtit privat në Tiranë, e cila akuzohet se dhunoi 3-vjeçaren, duke i thyer asaj këmbën.

NJOFTIMI I PROKURORISE
Prokuroria Tiranë kërkon ‘Arrest në burg’ për shtetasen M.D. për Veprën Penale ‘Keqtrajtim i të miturit’. Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkoi caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim M. D., për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”, të parashikuar nga neni 124/b/1 i K.Penal.

Kjo masë u kërkua menjëherë pas marrjes në dorëzim ditën e sotme, më dt. 09.11.2023, të procesverbalit për kqyrjen e pamjeve filmike (usb), i cili është mbajtur më dt. 08.11.2023. Me shkresën nr. 9538/1 prot., dt. 08.11.2023, protokolluar në Prokurori me nr. 10983 prot., dt. 09.11.2023, Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka përcjellë aktin e ekspertimit mjeko-ligjor.

Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, po kryen veprimet e tjera procedurale për dokumentimin e faktit, në kuadër të procedimit penal nr. 7527, i regjistruar pas kallëzimit mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, Komisariati i Policisë nr.1, për Veprën Penale “Keqtrajtimi i të miturit”, parashikuar nga neni 124/b i Kodit Penal.