Raporti vjetor i Bashkimit Evropian për Shqipërinë ka paketuar me fjongo rozë një ndër fiaskot më flagrante mediatike të vitit, ku agjencia BIRN (Reporter.al) nëpërmjet një shkrimi të vulosur nga gazetarja Ola Xama, keqinterpretoi dhe spekuloi mbi një raport të IFC-së të prezantuar nga Veliaj për zgjidhjen e çështjes së trajtimit të mbetjeve.
“Në korrik 2023, organizatat ndërkombëtare mbikëqyrëse të medias i kërkuan një zyrtari të nivelit të lartë vendor që të përmbahet nga kërcënimi dhe ngacmimi i një gazetareje pas raportimeve të saj për një rast korrupsioni. Ende nuk është krijuar një historik solid i ndjekjes penale dhe gjyqësore për të mbrojtur sigurinë e gazetarëve”-thuhet në paragrafin e progres-raportit.
Për ta rikthyer fabulën me fjalë të thjeshta, shkrimi duke shfrytëzuar disa faqe të dosjes të SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Arben Ahmetajt, keqinterpretonte një paragraf të dosjes.
Ndërsa dosja e SPAK thoshte e zeza mbi të bardhë se Veliaj parashtroi (në tejkalim të afateve madje) një studim të IFC-së i cili sugjeronte një skemë për trajtimin e mbetjeve nëpërmjet groposjes, kapsulimit, në shkrimin e Reporter.al ky pasazh që fliste posaçërisht për groposje dhe kapsulim u interpretua si propozim i Veliajt për ndërtim inceneratori në Tiranë.
Titulli i BIRN në shkrimin e korrikut e bënte fakt të kryer këtë spekulim.
“Projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Erion Veliaj,- thotë SPAK”.
Ky ishte titulli i BIRN-it që shërbeu si një karrem për të ngritur një furtunë mediatike që jo vetëm keqinterpretonte dosjen e SPAK, por shërbeu dhe si instrument i disa kundërshtarëve politikë të Veliajt për të orientuar debatin publik në këtë kah spekulativ.
Përfshirja e BIRN në këtë lojë spekulative i dha peshë dhe forcë spekulimit, pasi në Tiranë kjo agjenci presupozohet si korrekte dhe e pa ndikuar nga kulisa politike e vendit.
Pasi ndodhi spekulimi dhe plasi debati politik, kryebashkiaku Veliaj pati një shkëmbim mesazhesh me gazetaren Ola Xama, ku në mënyrë të nxituar dhe metaforike Veliaj e quajti gazetaren si “vrasëse me pagesë”.
Kaq u desh që ky nxitim dhe kjo metaforë e Veliajt të bëhej kali i ri i betejës, të gjithë e harruan se shkrimi i BIRN ishte një spekulim arbitrar, të gjithë po merreshin me metaforën e kryebashkiakut.
Në debat ndërhyri dhe një farë Ricardo Gutierrez i cili përfaqëson një shoqatë mediatike me ndikim rajonal.
Pikërisht bazuar mbi këtë debat të personalizuar Veliaj-Xama është shkruar dhe paragrafi në raportin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë, duke e konsideruar si formë presioni ndaj gazetares.
E megjithatë raporti i komisionit injoron thelbin e asaj që ndodhi dhe që ka lidhje me përfshirjen drastike të BIRN në debatin politik dhe luftën e shtrigave në Tiranë, nëpërmjet një raportimi totalisht spekulativ dhe të gënjeshtërt.
Raporti i Bashkimit Evropian mbi këtë çështje duket si një qokë që paketon dhe i vendos një fjongo rozë një prej fiaskove dhe spekulimeve më arbitrare mediatike të ndodhura në Shqipëri në vitin e fundit.
Është një paketim i tipit “hajdeni të mbrojmë pak fiaskon e rrjetit tonë në Tiranë meqenëse e kemi të vështirë të pranojmë se gabuam”. / Hashtag.al