Vendosni fjalën kyçe....

Pas denoncimit të dhunës ndaj 3-vjeçares në kopshtin privat zgjohet Ministria e Arsimit: Ishte pa licencë, kërkuam të mbyllet


Një ditë pas denoncimit në media të rastit të dhunës ndaj një 3-vjeçareje në kopshtin privat ‘Stinët’ në Tiranë, Ministria e Arsimit thotë se i ka kërkuar policisë e Bashkisë Tiranë që ta mbyllin institucionin në fjalë.

Edhe pse nuk dihet prej sa kohësh ushtronte veprimtarinë pa dokumente kopshti në fjalë, Ministria e Arsimit, është kujtuar për diçka të tillë vetëm pas ngjarjes së rëndë të dhunimit të 3-vjeçares dhe denoncimit të prindërve në media.

Në rast se kjo nuk do kishte ndodhur, kopshti në fjalë, do vijonte i qetë punën në parregullsi.

3-vjeçarja u dhunua nga edukatorja Majlinda Dhima, e cila shfaqet në video duke e goditur me vizore e shuplaka në disa raste ndërsa më pas e mitura është dërguar në spital ku është konstatuar se ka pasur kockën e kofshës të thyer.

Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta ndërsa janë sekuestruar kamerat e sigurisë së kopshtit ‘Stinët’.

“Ministria e Arsimit dënon me forcë veprimet e dhunshme ndaj fëmijëve dhe kërkon zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, për të marrë masa të menjëhershme dhe të rreptë ndaj përgjegjësve. Pas transmetimit të ngjarjes së rëndë në emisionin “Stop” në Tv Klan, Ministria e Arsimit dhe Sportit i ka kërkuar menjëherë Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake marrjen e masave për mbylljen e menjëhershme të kopshtit “Stinët”, pasi, nga verifikimet e kryera rezulton se kopshti është në paligjshmëri dhe ushtron aktivitetin i pa licencuar si institucion arsimor parauniversitar privat, në zbatim të ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe ligjit nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, njofton Ministria e Arsimit.

Kjo e fundit shton në reagim se asnjë rast dhune nuk do tolerohet dhe se ka ngritur një grup pune për verifikimin e të gjitha subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në shërbimet për fmijët.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit, Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, Inspektoriatet, do të ngrenë Task-Forcën për kontrollin e plotë në territor për subjekte që ushtrojnë veprimtarinë në shërbimet parashkollore për fëmijë dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që institucionet arsimore, publike apo private, të ofrojnë një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur për fëmijët, në zbatim të legjislacionit në fuqi. Dhuna ndaj fëmijëve është një shkelje e të drejtave themelore të tyre dhe nuk do të tolerohet në asnjë rrethanë. Ministria e Arsimit do të jetë e vendosur në luftën kundër dhunës në ambientet arsimore për të siguruar që fëmijët tanë të rriten në një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur.” – shton ministria në reagimin e saj.