Vendosni fjalën kyçe....

Flota më e madhe kineze e Antarktidës niset për të ndërtuar stacionin e pestë kërkimor


Dy anije kërkimore akullthyese kineze dhe një anije mallrash u nisën të mërkurën për në Antarktik me më shumë se 460 personel në bord për të ndihmuar në përfundimin e ndërtimit të stacionit të pestë të Kinës në kontinentin më jugor të botës.

Flotilja më e madhe e anijeve kërkimore të Kinës, e vendosur në Antarktik, do përqendrohet në ndërtimin e stacionit në ishullin shkëmbor pranë detit Ross, një gji i thellë i Oqeanit Jugor i emëruar me emrin e një eksplorues britanik të shekullit të 19-të.

Puna në stacionin e parë kinez në sektorin e Paqësorit filloi në vitin 2018. Ai do përdoret për të kryer kërkime mbi mjedisin e rajonit, njoftoi televizioni shtetëror.

Kina ka katër stacione kërkimore në Antarktik të ndërtuara nga viti 1985 deri në vitin 2014. Një institut me bazë në SHBA vlerësoi se i pesti mund të përfundojë vitin e ardhshëm.

Objekti pritet të përfshijë një observator me një stacion tokësor satelitor dhe duhet të ndihmojë Kinën “të plotësojë një boshllëk të madh” në aftësinë e saj për të hyrë në kontinent, tha Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në një raport të këtij viti.

Stacioni është gjithashtu i vendosur për të mbledhur inteligjencë sinjalesh mbi Australinë dhe Zelandën e Re dhe të dhëna telemetrike mbi raketat e lëshuara nga Qendra e re Hapësinore e Australisë Arnhem, tha ai.

Kina kundërshton sugjerimet se stacionet e saj do përdoren për spiunazh.

Dy akullthyesit, “Xuelong 1” dhe “Xuelong 2”, emri do të thotë “Dragoi i borës” në gjuhën kineze, u nisën nga Shangai me personel dhe furnizime logjistike në bord.

Anija e mallrave “Tianhui” që do çojë materiale ndërtimi për stacionin, u nis nga porti lindor i Zhangjiagang.

Misioni pesëmujor do përfshijë një studim mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike. Dy akullthyesit do kryejnë gjithashtu studime mjedisore në Gjirin Prydez, Detin e Astronautëve në Antarktikun juglindor dhe në Detin Ross dhe Detin Amundsen në perëndim.

Misioni, i 40-ti i Kinës në Antarktik, do bashkëpunojë gjithashtu me vende të tjera duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Rusinë për furnizimin logjistik, tha media shtetërore.