Vendosni fjalën kyçe....

Caktohet data e gjyqit ndaj Tahirit, më 20 dhjetor ish-ministri rikthehet në Apelin e GJKKO-së


Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i rikthehet sërish seancave gjyqësore. Në datën 20 dhjetor Tahiri do paraqitet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjykata e Lartë disa javë më parë vendosi të rikthejë në Apel çështjen Tahiri.

Gjyqtarët që do gjykojnë ish-Ministrin e Brendsëm janë Daniela Shirka, kryesuese, dhe anëtarë Iliriana Olldashi dhe Engert Pëllumbi.

Gjykata e Lartë vendosi rikthimin e çështjes për shqyrtim tek një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme me argumentin se gjatë procesit kundër Saimir Tahirit ka pasur shkelje procedurale.

Përpos konfliktit të interesit të gjyqtares Albana Boksi, gjykata thekson se prokuroria u dha fakteve penale cilësim të ndryshëm nga akuza dhe se nuk i dha mundësinë ish-ministrit të mbrohej për akuzën e shpërdorimit të detyrës që u dënua me 5 vite burg i konvertuar në 3.4 vite shërbim prove.

SPAK e akuzoi për trafik droge, por gjykata ish-ministrin e Brendshëm e dënoi vetëm për shpërdorim detyre, ndërsa me prishjen e vendimit nga Gjykata e Lartë, dosja rikthehet edhe njëherë në Apel.