Vendosni fjalën kyçe....

Prezantohet Guida Studentore 2023, Veliaj: Abone falas dhe mbulimi i gjysmës së tarifës së konviktit, Karta ofron rreth 1600 shërbime


U prezantua sot në prani të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Guida Studentore 2023, e cila synon të ofrojë informacione të rëndësishme, këshilla praktike dhe udhëzime për jetën studentore në Tiranë.

Të gjithë studentët që do të studiojnë në Tiranë, do të pajisen me një Guidë, e cila do t’u shërbejë për të njohur më mirë kryeqytetin dhe për t’u integruar më lehtë në jetën e tyre të re studentore.

Veliaj zbuloi se edhe këtë vit Karta e Studentit do të zgjerojë gamën e shërbimeve për studentët, por në të njëjtën kohë, do të mbulojë edhe gjysmën e shpenzimeve të akomodimit të tyre në konvikt dhe po ashtu abonenë falas, si për ata që studiojnë në universitetet publike, edhe për ata të rinj që zgjedhin institucionet private të arsimit të lartë.

“Karta e Studentit ofron sot, edhe për studentët e universiteteve jopublike, rreth 1600 shërbime, të cilat duam që të vazhdojnë të shtohen. Çdo kursim që mund të bëjmë me kartën është ideale, por kursimi më i madh është fakti që abonoja e autobusit është falas për të gjithë studentët e qytetit të Tiranës, që pajisen me Kartën e Studentit dhe në këmbim marrin udhëtimin falas për të gjithë kohën që janë studentë. Kjo është diçka që do vazhdojmë ta ofrojmë edhe këtë vit. Po ashtu, do vazhdojmë të paguajmë 50% të kostos së konviktit që drejton Bashkia e Tiranës”, deklaroi Veliaj.

Më tej, ai tha se Tirana ka ndryshuar shumë në 8 vitet e fundit në mënyrën se si i trajton studentët që ndjekin universitetin në kryeqytet.

Tirana ka ndryshuar shumë si qytet. Në rrugët e saj shesh shumë turistë, këtu jetojnë njerëz me 144 shtetësi të ndryshme. Por, një nga gjërat që nuk kishte ndryshuar ishte trajtimi i studentëve. Edhe gjatë fushatës që lamë pas kishim njerëz që thoshin ‘jo po unë nuk jam i ardhur, nuk jam jabanxhi, pyesni lali Erin se ai është’. Unë jam lindur dhe rritur në Tiranë, por nuk do ta kisha fare problem, që ashtu si prindërit e mi, që lindën dhe u rritën në Berat dhe në Vlorë, të kisha lindur kudo tjetër, se kjo është një gjë që nuk e kam vendosur unë. Ajo që unë kam vendosur është të bashkëpunoj, të promovoj të rinjtë që e nisin si studentë, dhe jam krenar që jam pjesë e një familje politike, e cila një çuni dhe një goce nuk e pyet ‘nga je’, por e trajton me respektin dhe dinjitetin njerëzor, duke pranuar që fillimin ta kemi të gjithë njësoj. Pastaj, në finish, kush ecën më shpejt, kush është më i mirë, kush është më punëtori, bravo i qofte! Sot ky takim është një start i barabartë për të gjithë çunat dhe gocat, që kanë ardhur nga të gjitha cepat e Shqipërisë për t’u ndjerë edhe njëherë pjesë e një familje të madhe”, u shpreh ai.