Vendosni fjalën kyçe....

Meta akuzon Ramën: Dje u morën 800 mijë euro për inceneratorin e Tiranës


Kreu i PL-së, Ilir Meta ka reaguar sot për inceneratorin e Tiranës, ku sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama. Ai tha se vetëm dje u morën 800 mijë euro për inceneratorin e Tiranës.

Deklarata e plotë:

“Inceneratori i Tiranës vazhdon merr miliona euro nga Edi Rama dhe Erion Veliaj. Dje mori edhe 800 mijë euro të tjera. Veliaj është i kallëzuar për tre inceneratorët. Inceneratori i Tiranës dëshmia pse Shqipëria thellohet në gropën e korrupsionit.

Shqipëria për fat të keq, vazhdon rrëshqitjen e rrezikshme drejt paligjshmërisë dhe kapjes së shtetit. Pranë nesh kemi një shembull shumë pozitiv, Kosova, që renditet e para në rajon në luftën kundër korruptonit. Parlamenti është kapur për fyti nga Rama dhe shndërrimi në një zyrë që miraton ligje me porosi vetëm për të vjedhur.

Parlamenti është kapur për fyti nga Kryeministri me qëllimin e vetëm bllokimin e llogaridhënies dhe shndërrimin e Parlamentit në një zyrë të qeverisë, i cili miraton ligje me porosi.

Bllokimi I të gjitha komisioneve hetimore, për koncesionet, për rrëmbimin e të dhënave të TIMS, çështjen McGonigal, etj., është dëshmi e pakundërshtueshme e qëllimit të qeverisë për të mos dhënë llogari në Parlament.

Përjashtimi në vazhdimësi I deputetëve të opozitës, dhe së fundmi i 23 deputetëve të saj është një mjet agresioni i hapur ndaj opozitës që të ajo të asgjësohet në funksionin e saj dhe të vërtetat e mëdha të korrupsionit të qeverisë të mos njihen nga shqiptarët.

Dhunimi i shfrenuar i funksionimit të Parlamentit ka arritur deri aty, sa ti imponojnë opozitës edhe anëtarët e komisioneve parlamentare. Siç është rasti i Komisionit të Reformës zgjedhore, me qëllimin e vetëm, për të bërë një pseudo reformë që legjitimion manipulimin dhe vjedhjen e zgjedhjeve.

Edhe kur opozita propozon nisma ligjore për qytetarët, ato shqyrtohen me shumë vonesë. Bllokimi i projektligjeve të opozitës, të cilat janë vetëm në interes të qytetarëve, është një mjet tjetër presioni ndaj opozitës në Parlament.

Dje, në mënyrë flagrante vetëm pas 20 muajsh u diskutua dhe NUK u pranua nga mazhoranca propozimi i Partisë së Lirisë për uljen e çmimit të karburanteve.

Ndërkohë mbeten pa u shqyrtuar dhe dhjetëra ligje të tjera që Partia e Lirisë dhe opozita në tërësi kanë propozuar në Parlament.

Jemi në kushtet e një konfrontimi të hapur midis qëndrimit demokratik që ka opozita dhe regjimit të Edi Ramës. Edi Rama dhe qeveria duan një Shqipëri pa opozitë, që të vënë në zbatim të pa penguar, planet e tyre korruptive për interesat e veta, dhe të grupimeve financiare, mafioze  që përfaqësojnë, ndërsa opozita punon për një qeverisje demokratike, ku funksionon llogaridhënia dhe transparenca ndaj qytetarëve, ku funksionon shteti i së drejtës dhe ku të gjithë janë të barabartë para ligjit, dhe asnjë nuk gëzon privilegjin e pandëshkueshmërisë, ashtu siç po ndodh sot për fat të keq për shkak të kapjes të drejtësisë nga qeveria”, tha Meta.