Vendosni fjalën kyçe....

Eksportet në rënie, BSH thotë se fasoneria ka të ardhura rekord edhe për tremujorin e tretë të vitit


Të ardhurat nga ekonomisë shqiptare nga shërbimet e punës me porosi shënuan vlera rekord edhe në tremujorin e tretë të vitit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto të ekonomisë shqiptare nga fasoneria shënuan për të dytin tremujor radhazi vlerën e 198 milionë eurove, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për një tremujor të vetëm.

Të ardhurat nga këto shërbime janë rritur me 49% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Edhe vlerat progresive të 9-mujorit të parë përfaqësojnë nivelet më të larta historike. Për nëntë muaj, të ardhurat neto nga shërbimet për përpunim të inputeve fizike të zotëruara nga të tjerët arritën në 592 milionë euro, në rritje me 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Statistikat e Bilancit të Pagesave tregojnë se të ardhurat e sektorëve të lidhur me shfrytëzimin e forcës së punës janë më të larta se kurrë më parë. Megjithatë, nga ana tjetër duhet thënë se rritja e të ardhurave, e shprehur në Lekë, është gërryer nga efekti i kursit të këmbimit. Nëse shohim shifrat paralele të INSTAT, të shprehura në Lekë, ecuria e eksporteve të sektorëve kryesorë të lidhur me fasonerinë paraqitet më e dobët.

Grupi “Tekstile dhe këpucë” për 10-mujorin 2023 shënoni një rënie të lehtë të eksporteve në masën 4.4% më pak krahasuar me një vit më parë.

Grupi tjetër, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, ka vijuar rritjen e eksporteve, me 3.4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Industritë eksportuese në periudhën pas rënies së komunizmit janë të përqendruara kryesisht në ato sektorë që shfrytëzojnë një kosto pune më të ulët krahasuar me ekonomitë e zhvilluara dhe ku vlera e shtuar është e kufizuar.

Fasoneria ka qenë e përqendruar historikisht tek prodhimi i veshjeve dhe këpucëve me porosi nga jashtë vendit, por në vitet e fundit po rritet gjithnjë e më shumë sektori i industrisë automotive, i lidhur me prodhimin e pjesëve të këmbimit për automjetet ose produkte të tjera industriale.

Fasoneria është një nga kontribuesit kryesorë në ecurinë pozitive të llogarisë së shërbimeve në Bilancin e Pagesave. Ndërkohë që ka një bilanc të thellë deficitar në mallra, Shqipëria ka një bilanc pozitiv të tregtisë së jashtme në shërbime.

Bilanci i Pagesave në shërbime për 9-mujorin 2023 ishte pozitiv në vlerën e 2.68 miliardë eurove, në rritje me 35% krahasuar me një vit më parë. Pjesa më e madhe e suficitit në shërbime vjen nga turizmi dhe nga fasoneria. Për 9-mujorin 2023, turizmi kontribuoi me pothuajse 55% të vlerës së përgjithshme të suficitit të shërbimeve, i ndjekur nga fasoneria me 22%./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor