Vendosni fjalën kyçe....

Akti normativ, 71 mln euro të ardhura shtesë rishpërndahen, deficiti mbetet i pandryshuar


Akti i parë normativ për ndryshimin e buxhetit 2023 la të pandryshuar treguesin e deficitit buxhetor edhe pse arkëtimet kanë siguruar që balanca buxhetore të jetë me suficit 51 miliardë lekë në fund të shtatorit.

Ndryshimet e fundit siguruan një shtesë të ardhurash me 7 miliardë lekëve rreth 71 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare nga Akti Normativ.

Financimet shtesë do të përdoren me së shumti për rindërtimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019 dhe financimin e projekteve të infrastrukturës.

Zëri i shpenzimeve operative u shtua me rreth 10 miliardë lekë dhe fondi i rindërtimit arrin në 17 miliardë nga 5 miliardë lekë që ishte në buxhetin fillestar. Gjithashtu Fondi Rezerve arrin në 17,2 miliardë lekë, nga 15 miliardë lekë që ishte në buxhetin fillestar.

Ketë vit të ardhurat nga grantet pësuan rritje jo të zakonte me rreth 20 miliardë lekë dhe ishte kontribuuesi kryesor i rritjes të arkëtimeve këtë vit.

Në fund të 9 mujorit 2023 të ardhurat buxhetore arritën 477,2 miliardë lekë, me një rritje vjetore 1,5 % më shumë se plani i periudhës ose 7 miliardë lekë më shumë dhe 12 % me shume se viti i kaluar.

Shpenzimet buxhetore arritën në 425 miliardë lekë ose -7,8 % më pak se plani i periudhës.

Në krahun e shpenzimeve buxhetore me ndryshimet e fundit do të rishpërndahen rreth 46 miliardë lekë, me synim përshpejtimin e projekteve me performancë pozitive dhe nxitjen e rritjes ekonomike.

Sipas Ministrisë së Financave do të mbështet sektorit energjetik dhe procesi i rindërtimit me afro 12 miliardë lekë, me synim avancimin dhe përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi.

Gjithashtu, alokohen rreth 1.8 miliardë lekë për skemën e naftës dhe skemat e mbështetjes së fermerëve,

Parashikohet një shtesë për fondin e ish-të përndjekurve politikë, me synim përshpejtimin e pagesave për këtë kategori përfituesish.

Ndonëse mbeten vetëm dy muaj nga mbyllja e vitit buxhetor, qeveria e la të pandryshuar nivelin e borxhit të ri që ishte planifikuar për ketë vit. Balanca buxhetore mbeti e pozitive me 51 miliardë lekë.

Nisur nga praktikat e viteve të fundit ndryshimet thelbësore të buxhetit bëhen në ditët e fundit të vitit.

Siç ka ndodhur suficiti është krijuar nga mos-pagesat e investimeve publike në kohë. Vitin e kaluar gati 40 e zërit të investimeve kapitale u alokua në dhjetor, përcjell Monitor.