Vendosni fjalën kyçe....

Ndezi zjarr në Libofshë të Fierit, arrestohet 62-vjeçari


Policia e Fierit ka arrestuar 62-vjeçarin, i cili në fshatin Libofshë, ndezi zjarr djegien e disa mbeturinave bimore, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogjën 22 hektarë tokë dhe 500 pemë ulliri.

Fier– Ndezi zjarr për djegien e disa mbeturinave bimore, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogjën 22 hektarë tokë dhe 500 pemë ulliri, identifikohet dhe kapet autori.

Vihet në pranga 62-vjeçari nga Libofsha.

Sapo janë njoftuar për një rast zjarrvënieje në kodrat e fshatit Libofshë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier janë nisur menjëherë drejt zonës, së bashku me shërbimet zjarrfikëse. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale u identifikua dhe u vu në pranga autori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi A. B., 62 vjeç, banues në fshatin Libofshë.

62-vjeçari ka ndezur zjarr në tokën e vet, për të djegur disa mbeturina bimore, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur 20 hektarë tokë e mbjellë me bimësi, 2 hektarë tokë e mbjellë me drurë dhe 500 pemë ulliri.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës.