Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Macron tha se Kosova rrezikon vizat


Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për emisionin “Opinion” në Tv Klan komentoi deklaratën e diskutueshme të Presidentit Francez Emmanuel Macron për Kosovën.

Rama tregoi edhe se çfarë i tha Presidenti francez, Emmanuel Macron në lidhje me vizat për Kosovës. Kreu i qeverisë u shpreh se Macron i tha se “nuk do të hapë rrugë nëse ata në Prishtinë nuk do t’i hapin rrugë dakordësisë së planit franko-gjerman”.

Duke folur për gazetarin Blendi Fevziu, Rama këshilloi politikën në Kosovë që ta lexojnë mirë atë që tha Macron pasi sipas tij, ai foli për disa javë në vijim që janë “javë oportuniteti”.

Pjesë nga intervista:

Blendi Fevziu: E para si e kuptuat dhe natyrisht ju keni informacion shtesë nga ne, si e interpretoi Presidenti Macron deklaratën e tij që ‘ne do të pezullojmë vizat për Kosovën’. ‘Suspendu’ tha.

Edi Rama: Ai e preku çështjen e situatës në procesin e dialogut, si të gjithë të tjerët, por edhe ndoshta pak më shumë se të tjerët ai është vetvetiu i lënduar me faktin që edhe pse është angazhuar personalisht bashkë me kancelarin Scholz për të vënë në tavolinë një plan që quhet plani franko-gjerman dhe që është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës në këtë fazë të historisë së saj dhe duke diskutuar më tha që unë nuk jam i gatshëm që të hap rrugë nëse ata në Prishtinë nuk do t’i hapin rrugë dakordësisë mbi planin franko-gjerman.

Blendi Fevziu: Çfarë kishte ai parasysh me “nuk do t’i hap rrugë”? Vizat?

Edi Rama: Po, natyrisht!

Blendi Fevziu: Pra Macron ishte i drejtpërdrejtë që nuk do të lejojë vizat në qoftë se Prishtina nuk pranon planin. Po në qoftë se Vuçiç nuk e pranon planin?

Edi Rama: E tha edhe në konferencë.

Blendi Fevziu: Po se pati komente më pas që nuk e ka thënë ashtu, e ka thënë në një këndvështrim tjetër? U ngjallën mjaft diskutime.

Edi Rama: Ajo ishte shumë e qartë. Ajo që është shqetësuese është që edhe figura publike, edhe profile false me nxitje nga figura publike u hodhën në një sulm ndaj tij dhe ndaj madje u hodhën edhe në sulm ndaj meje, a thua se e bëra unë atë

Blendi Fevziu: Pse Macron duhej të vinte ta bënte në Tiranë atë deklaratë zoti Rama mbi gjysmën tjetër të botës shqiptare?

Edi Rama: A thua se e kam unë gjithë fuqinë t’i them Presidentit francez, do bësh, këtë, do bësh atë. Përkundrazi, por kjo është një tjetër, nuk ka rëndësi se unë jam mësuar me këtë. I këshilloj ta lexojnë mirë atë që tha sepse foli për disa javë në vijim që janë javë oportuniteti. Pra duhet të ketë lëvizje në drejtimin e duhur se nuk mund të merret peng gjithë bashkësia e aleatëve dhe e miqve të Kosovës, nuk mund të merret peng  i gjithë komuniteti euroatlantik për ti bërë karshillëk një përpjekje të tyre, shumë, shumë të vendosur dhe po kaq të sinqertë për të zgjidhur çështjen e vetë Kosovës.