Vendosni fjalën kyçe....

Ndryshimet statutore të Kuvendit Kombëtar të PD-së, gjykata njeh si palë në proces Gazment Bardhin dhe Rithemelimin


Teksa sot u mbajt seanca gjyqësore për njohjen e ndryshimeve statutore të Kuvendit Kombëtar të PD-së, të miratuara më 2 shtator të këtij viti, togat e zeza njohën si palë të tretë përfaqësuesin ligjor të Gazment Bardhit dhe Rithemelimin, sipas BW.

Gjatë fjalës së tij gjyqtari Niko Rrapi theksoi se; “Gjykata ka vlerësuar se pjesëmarrja e palëve është e nevojshme, pasi kanë interes në zgjidhjen e këtij procesi. Në këtë moment gjykata nuk gjen asnjë arsye të revokojë vendimi e saj të mëparshëm për thirrjen e palëve në proces si palë të treta

Në lidhje me kërkesën e PD përfaqësuar nga Këshilli Kombëtar, gjykata vlerëson të legjitimojë praninë e tyre. Në tagrat që Këshilli Kombëtar i ka dhënë 7 deputetëve është edhe përfaqësimi në gjykatë.

Gjykata vlerëson se vullneti i Këshillit Kombëtar ka qenë të përfaqësohet nga 7 deputetë. Këta 7 deputetë kanë të drejtën të zgjedhin një avokat. Në këto kushte, akti i përfaqësimit është konform ligjit.

Në lidhje me palën e tretë, PD përfaqësuar nga Këshilli Kombëtar, gjykata vendos të legjitimojë në proces avokatët Marash Logu dhe Redi Ramaj. Në lidhje me palën e tretë e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, gjykata mban parasysh që i referohet një momenti tjetër procedural të PD. Duke patur parasysh objektin e gjykimit, faktin që ka në objekt ndryshimin e studimeve statutore të shtatorit 2023, gjykata konstaton se autorizimi përkatës nuk përfshin tagra të përfaqësimit.”.

Kujtojmë se përfaqësues të Partisë Demokratike në Gjykatën e Tiranës janë Rezart Kthupi dhe Indrit Sefa, Gazment Bardhi përfaqësohet nga Marash Logu e Redi Rama, ndërsa Rithemelimi i drejtuar nga Sali Berisha përfaqësohet nga Çlirim Gjata dhe Franc Nuri.

Nga ana tjetër, gjykata i la kohë përfaqësuesve të Rithemelimit që të saktësojnë aktin e përfaqësimit. Ndërkohë, seanca e radhës do të mbahet më 25 tetor.