Vendosni fjalën kyçe....

Lindja e Mesme në prag të një lufte më të gjerë, teksa Irani vlerëson opsionet e tij – Washington Post


Frika se lufta e Gazës mund të shkaktojë një luftë më të gjerë dhe më shkatërruese në Lindjen e Mesme po rritet, ndërsa përleshjet me Hezbollahun e mbështetur nga Irani po shtohen përgjatë kufirit verior të Izraelit me Libanin dhe Izraeli vijon me planet e tij për një sulm tokësor në Gaza që synon të shkatërrojë Hamas-in.

Frika u rrit të hënën vonë pas një paralajmërimi nga ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian se aleatët e milicisë së Iranit në atë që e quajti ‘fronti i rezistencës’ kundër Izraelit, mund të ndërmarrin ‘veprim parandalues’ të papërcaktuar për të penguar një sulm izraelit në Gaza.

Gjasat që lufta të përhapet në fronte të tjera ‘po i afrohet një faze të pashmangshme’, shkroi Amirabdollahian të hënën në X, i njohur më parë si Twitter, pasi Izraeli njoftoi se kishte urdhëruar evakuimin e 28 komuniteteve në kufirin e tij verior.

Por Irani dhe aleatët e tij po përballen gjithashtu me një dilemë që mund të përcaktojë nëse konflikti është i kufizuar në Gaza apo po shkakton një luftë shumë frontesh, thanë analistët.

Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, Irani ka ndërtuar një grup të frikshëm milicish dhe përfaqësuesish në Liban, Siri, Irak dhe Jemen, përveç Hamas-it, dhe të gjithë ose ndonjë prej tyre mund të thirret për të hapur fronte të reja.

Irani gjithashtu duhet të llogarisë nëse mund të përballojë të shpenzojë përfitimin e konsiderueshëm ushtarak që nxjerr nga këta aleatë në një konflikt potencialisht shkatërrues me qëllim të mbrojtjes së njërit prej tyre, Hamas-it, në Gaza.

Uashingtoni ka pozicionuar dy grupe aeroplanmbajtëse në Mesdheun Lindor për të penguar Hezbollah-un dhe gjithashtu mund të tërhiqet në luftë nëse Hezbollah-u fillon një sulm në shkallë të plotë ndaj Izraelit.

Luftëtarët e mbështetur nga Irani në Siri, duke përfshirë forcat e Hezbollah-ut atje, pothuajse me siguri do bashkohen; Tashmë ka pasur shkëmbime zjarri përgjatë kufirit sirian dhe aktivistët raportojnë se luftëtarët aleatë të Iranit janë zhvendosur në Sirinë jugore nga lindja e vendit.

Grupet e mbështetura nga Irani në Irak kanë paralajmëruar se do sulmojnë interesat amerikane në vend nëse Shtetet e Bashkuara përfshihen, dhe rebelët Houthi në Jemen, një tjetër nga aleatët e Teheranit, kanë bërë gjithashtu kërcënime.

Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian

“Nëse kjo fillon të përkeqësohet, mund të shkojë keq në shumë vende në të njëjtën kohë dhe shumë shpejt,” tha Jon Alterman, një nënkryetar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

“Ne po shkojmë absolutisht drejt një të panjohure të madhe.”

Megjithatë, shqetësimi më i madh është lëvizja e Hezbollah-ut e armatosur mirë, e stërvitur në betejë dhe shumë e disiplinuar, me qendër në Liban mund të përfshihet, tha Michael Horowitz, drejtor i inteligjencës në konsulencën e sigurisë ‘Le Beck’. Hezbollahu ka grumbulluar midis 130,000 dhe 150,000, disa prej të cilave mund të arrijnë thellë në qytetet izraelite ose të përdoren për të kryer sulme të sakta kundër objekteve ushtarake izraelite, duke kufizuar aftësitë luftarake të Izraelit.

Një luftë në shkallë të plotë me Libanin do e kthente Gazën ‘në një shfaqje anësore’, tha Firas Maksad, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington, duke sjellë një nivel shkatërrimi dhe gjakderdhjeje për civilët izraelitë të paparë në të gjitha luftërat e vendit.

“Ajo që Hezbollah ka si pajisje e aftësi ushtarake e zbeh atë që ka Hamas-i në Gaza”.

Por Izraeli ndoshta do t’i shkaktonte gjithashtu dëme masive Libanit, siç bëri në luftën e vitit 2006 dhe pushtimin e vendit të vitit 1982. Të hënën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi Libanin se ‘çmimi që do paguante do jetë shumë më i rëndë’ se në çdo luftë të mëparshme.

Ndërsa Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, lëvizte mes kryeqyteteve të Lindjes së Mesme, ministri i Jashtëm iranian po vizitonte aleatët e Teheranit në Siri, Liban dhe Katar. Në Bejrut, ku takoi liderin e Hezbollah-ut, Hasan Nasrallah, si dhe figura të larta të Hamasit, ai kërcënoi Izraelin me një ‘tërmet të madh’ nëse sulmet në Gaza vazhdojnë.

Megjithatë, diplomacia që synon të shmangë një front të dytë, ka sjellë shenja se asnjëra palë nuk është e interesuar për një luftë më të gjerë, pavarësisht deklaratave të nxehta publike.

Duket se iranianët nuk duan një përshkallëzim dhe janë të prirur të gjejnë mënyra për ta shmangur një të tillë, sipas një diplomati rajonal të njohur me disa nga bisedat iraniane me aleatët e tij, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së temës.

Ndërsa e bëjnë të qartë se aleatët e tyre janë të përgatitur për të luftuar, Irani dhe Hezbollah-u nuk kanë vendosur publikisht vija të kuqe për atë se çfarë skenari në Gaza do çonte në përfshirjen e tyre, që mund të shkojë nga sulmet e vijueshme në Gaza, fillimi i një pushtimi tokësor ose nëse Hamas-i është në rrezik të mposhtet plotësisht, tha diplomati.

Synimet e Iranit nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur, por nëse qëllimi i tij është i vërtetë, duket se sulmi i Hamas-it nuk ishte pjesë e një plani më të gjerë për të tërhequr Izraelin në një luftë më të gjerë, tha Michael Knights i Institutit të Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt.

Një zyrtar i lartë i Hamas-it, duke folur nga Bejruti, këmbënguli se Irani nuk ishte i përfshirë në sulmin e Hamas-it, në të cilin u vranë të paktën 1,400 civilë dhe ushtarë izraelitë dhe gati 200 u morën peng. Ai tha se Hamas-i nuk e kishte parashikuar shkallën dhe shpejtësinë e kolapsit të mbrojtjes së Izraelit dhe se Hamas-i ishte u surprizua gjithashtu nga egërsia e përgjigjes së Izraelit; mbi 2700 palestinezë kanë vdekur në sulmet ajrore izraelite.

“Sigurisht që iranianët na ndihmojnë dhe na stërvisin dhe na japin mbështetje, por ky operacion ishte veçanërisht konfidencial dhe sekret”, tha Ali Barakah, i cili drejton departamentin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Hamasit.

Ai e përshkroi atë që ai tha se synohej si një ‘operacion i kufizuar’ për të shkëmbyer pengjet izraelite për të burgosurit e Hamas-it dhe tha se pritja ishte që Izraeli të kryente sulme të kufizuara ajrore kundër Gazës përpara se të fillonte negociatat.

“Kundërpërgjigjia e ushtrisë izraelite na befasoi dhe kështu u bë e madhe,” tha ai.

Ushtarët e Hezbollah

Momenti i vërtetë i zgjedhjes për Iranin do vinte nëse Hamas-i do ishte në prag të asgjësimit, duke vënë në rrezik të gjithë strategjinë rajonale të ‘unazës së zjarrit’ të Iranit, tha Maksad.

E ndërtuar gjatë dekadave që nga krijimi i Hezbollah-ut në 1982, strategjia synon të pozicionojë fuqi të mjaftueshme të milicisë në kufijtë e Izraelit për të penguar një sulm izraelit ndaj Iranit, një frikë e gjatë që është rritur vitet e fundit ndërsa Irani ka përshpejtuar programin e tij bërthamor. Kauza palestineze është thelbësore për strategjinë dhe për identitetin e Iranit si një shtet revolucionar islamik.

Gjatë dy viteve të fundit, Irani ka kërkuar të përforcojë strategjinë me një koncept të njohur si ‘uniteti i fronteve’, sipas të cilit Hezbollah-u, Hamas-i dhe aleatët e tjerë rajonalë janë zotuar për bashkëpunim më të ngushtë dhe mbrojtje të ndërsjellë, tha Mohanad Hage Ali nga Qendra Carnegie për Lindjen e Mesme.

Hezbollah dhe Hamas kanë ngritur një qendër të përbashkët bashkërendimi në Bejrut me synimin për të bashkëpunuar në mënyra që të pengojnë më tej Izraelin nga sulmet ndaj ndonjërit prej tyre.

“Është një lloj NATO-je për këta aktorë joshtetërorë”, tha Hage Ali.

“Kjo është një provë e madhe e tij.”

Irani pothuajse me siguri nuk dëshiron të rrezikojë të minojë aftësitë parandaluese të Hezbollah-ut për hir të Gazës, por në të njëjtën kohë nuk mund të lejojë që të shihet si braktisës i aleatëve të tij nëse parandalimi dështon të mbijetojë, tha Knights.

“Irani nuk do të shihet se i braktis aleatët,” tha ai.

 “Por Teherani nuk dëshiron sulme në Iranin kontinental dhe nuk dëshiron të rrezikojë Hezbollah-un. Duket se kemi njëfarë ngurrimi këtu.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani