Vendosni fjalën kyçe....

Franca e Portugalia sigurojnë matematikisht kualifikimin në Europian


Franca ka shënuar fitoren e gjashtë nga po aq ndeshje të zhvilluara, për të siguruar edhe matematikisht kualifikimin në Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Ndeshja e zhvilluar sonte në “Johan Cruijff ArenA” përfundoi me rezultatin 1:2.

Kylian Mbappe (7′, 53′) ishte vendimtar në fitoren e “Gjelave”, duke shënuar të dy golat e fitores.

Quilindschy Hartman (84′) shënoi golin e vetëm për “Tulipanët”.

Franca pas kësaj fitore ka 18 pikë në krye të grupit, teksa Holanda është e treta me nëntë pikë.

Në vendin e dytë është Greqia me 12 pikë, andaj mbetet të shihet deri në fund se cila kombëtare do të shkojë në “Euro 2024” nga vendi i parë.

Portugalia gjithashtu ka regjistruar fitoren e shtatë radhazi për të siguruar edhe matematikisht një vend në Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Të udhëhequrit e Roberto Martinez triumfuan sonte ndaj Sllovakisë.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e Portos përfundoi me rezultatin 3:2.

Cristiano Ronaldo (29′, 72′) shkëlqeu në këtë ndeshje me dy gola. 38-vjeçarin golin e parë e shënoi nga penalltia.

Gonçalo Ramos (9′) ishte autor i golit tjetër në fitoren e portugezëve.

Për sllovakët shënuan David Hancko (69′) dhe Stanislav Lobotka (80′).

Portugalia pas kësaj fitore ka 21 pikë dhe kryeson në grup me tetë pikë më shumë se Sllovakia. Deri në mbyllje të këtij cikli kualifikues do të zhvillohen edhe tri xhiro në Grupin J.

Portugalia i ikën dhjetë pikë vendit të tretë, që nënkupton se ka siguruar kualifikimin në “Euro 2024”. Kombëtares portugez i duhet vetëm edhe një pikë që të sigurojë matematikisht edhe vendin e parë në grup.