Vendosni fjalën kyçe....

Si arriti Hamas-i të thyejë ‘Murin e Hekurt’ të Izraelit – Washington Post


Sulmi masiv dhe i ndërlikuar ndaj Izraelit të shtunën i militantëve të Hamasit nga Rripi i Gazës i habiti izraelitët, të cilët shikonin të tmerruar teksa luftëtarët kalonin me lehtësi një nga sistemet më të përparuara të sigurisë në botë.

Mbi 1 mijë persona janë vrarë në Izrael dhe më shumë se 2600 janë plagosur. Më shumë se 100 persona janë kapur robër. Izraeli ka goditur Gazën me sulme ajrore, duke vrarë të paktën 800 njerëz, sipas autoriteteve palestineze.

‘Gardhi i zgjuar’ që ndan Izraelin nga Gaza është i pajisur me teknologji të fundit, i ndërtuar për të zbuluar çdo shkelje të sigurisë.

Një ‘mur hekuri’

Në vitin 2021 Izraeli njoftoi përfundimin e ‘gardhit të tij të zgjuar’, një barrikadë 64 km e gjatë përgjatë Rripit të Gazës që përfshinte një pengesë betoni nëntokësore.

Projekti u shpall publikisht në vitin 2016 pasi Hamasi përdori tunele nëntokësore për të sulmuar forcat izraelite në luftën e vitit 2014.

Ndërtimi i gardhit kërkonte më shumë se 140,000 ton hekur e çelik, sipas Reuters, dhe vendosjen e qindra kamerave, radarëve dhe sensorëve.

Qasja pranë gardhit në anën e Gazës ishte e kufizuar për fermerët vetëm në këmbë. Në anën izraelite, kullat e vëzhgimit dhe dunat e rërës u vendosën për të mbikëqyrur kërcënimet dhe ngadalësimin e ndërhyrësve.

Në vitin 2021, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes Benny Gantz tha se pengesa vendosi një ‘mur hekuri’ midis Hamasit dhe Izraelit jugor.

Por të shtunën, një seri e papritur përpjekjesh të bashëkrenduara i mundësoi Hamasit të kalonte murin. Gardhi u thye në 29 pika, sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit. Megjithëse kishte kulla roje izraelite të pozicionuara çdo 500 këmbë përgjatë perimetrit të murit në disa pika, luftëtarët dukej se hasnin pak kundërshti.

Kufiri ishte me staf të pakët, kjo u bë shpejt e dukshme, me një pjesë të madhe të ushtrisë izraelite të devijuar për t’u përqëndruar në trazirat në Bregun Perëndimor.

“Pjesët më bindëse të sistemit ishin ato që jepnin tregues dhe paralajmërime,” tha Mattheë Levitt, drejtor i programit kundër terrorizmit në Institutin e Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt.

“Por kur nuk e shihni paraprakisht se dikush është grumbulluar në gardh, ai mbetet ende vetëm një gardh. Një gardh i madh, por vetëm një gardh.”

  1. Dronët hodhën eksplozivë

Duke përdorur drone komerciale, Hamasi bombardoi kullat izraelite të vëzhgimit, infrastrukturën e komunikimit dhe sistemet e armëve përgjatë kufirit.

  1. Bashkërendimi i zjarrit me raketa dhe fuqi njerëzore

Izraeli tha se Hamasi lëshoi ​​më shumë se 3,000 raketa në vend, me disa që arritën deri në Tel Aviv dhe Jerusalem. Militantët me parashuta fluturuan përtej kufirit.

  1. Eksploziv përgjatë gardhit

Militantët përdorën gjithashtu eksplozivë për të hedhur në erë pjesë të pengesës. Më pas militantët me motoçikleta kaluan nëpër boshllëqet.

  1. Zgjerimi i hendekut

Buldozerët bënë pjesën tjetër, duke lënë hapësirë ​​të mjaftueshme për automjetet më të mëdha për të kaluar. Ekspertët thanë se sulmi do kishte kërkuar, të paktën, javë të tëra përgatitje dhe ndërhyrje.

“Çelësi do ishte që pajisjet të zhvendoseshin në pozicionin e tyre gjatë një periudhe javësh përpara, dhe më pas t’i vendosnin ato në ndërtesa ose nën tenda,” tha Michael E. O’Hanlon, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin Brookings. Ai vuri në dukje se shumë nga automjetet mund të ishin fshehur në parkingje ose zona ndërtimi.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WP

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani