Vendosni fjalën kyçe....

Në tre muaj, qytetarët e Kosovës blenë mbi 53 milionë euro patundshmëri në rajon


Qytetarët e Kosovës brenda tre muajve të këtij viti kanë investuar mbi 53 milionë euro në patundshmëri. Investimet këto që janë bërë në blerje të pronave në shtetet e rajonit.

Mbi 53 milionë euro është vlera e investimeve në patundshmëri të qytetarëve të Kosovës në vendet e rajonit, kryesisht në Shqipëri, gjatë periudhës prill-qershor 2023.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), investimet e rezidentëve kosovar në vendet e rajonit kanë shënuar rritje për rreth 3 milionë euro, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Investimet e  huaja direkte të rezidenteve nga Kosova në vendet tjera kanë shënuar rritje në periudhën prill-qershor 2023, duke arritur vlerën prej 53.1 milionë euro (50.7 milionë euro në prill-qershor 2022), investime të destinuara  në vendet e rajonit e të orientuara kryesisht në sektorin e patundshmërisë”.

Derisa investimet e kosovarëve në sektorin e patundshmërisë në Shqipëri kanë shënuar rritje, investimet e diasporës në sektorin e patundshmërisë në Kosovë në të njëjtën periudhë kanë shënuar rënie.

“Rënia IHD-ve është evidentuar kryesisht në sektorët e patundshmërisë, ndërtimtarisë dhe sektorin e xehetarisë përfshirë guroret”.

Sektori i patundshmërisë mbulon  60.0 për qind e përgjithshme të IHD-ve apo 110.6 milionë euro për periudhën prill-qershor 2023.

Sipas BQK-së, vlera e përgjithshme e IHD-ve në periudhën prill-qershor 2023 ka arritur në 184.4 milionë euro, apo për 12.5% më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Investimet e huaja direkte në TM2 2023 rezultojnë të kenë shënuar rënie prej 12.5 për qind, duke  arritur vlerën prej 184.4 milionë euro. Rënia IHD-ve është evidentuar kryesisht në sektorët e patundshmërisë, ndërtimtarisë dhe sektorin e xehetarisë përfshirë guroret.

Banka Qendrore ka treguar se investimet më të mëdha në patundshmëri behën nga remitencat e mërgimtarëve, të cilat kanë arritur në afro 400 milionë euro.

“Vlera e remitencave të pranuara në  TM2 2023 ka arritur në 363.8 milionë  euro, rritje prej 15.8 për qind  krahasuar me periudhën e njëjtë të  vitit paraprak”

Struktura e remitencave  sipas shteteve mbetet e pa ndryshuar.

“Gjermania që ka një pjesëmarrje prej  37.4 për qind e remitencave të dërguara,  Zvicra 18.0 për qind dhe SHBA-të 7.4  për qind. Dërgesat e emigranteve sipas  kanaleve formale (bankat dhe  institucione tjerat) kanë shënuar rritje  në vlerë prej 29.4 milionë euro, ndërsa  është shënuar rritje prej 20.2 milionë  euro e dërgesave në kanale jo formale”.

Duke konsideruar që pjesa me e madhe  e remitancave të pranuara janë me  origjinë nga vendet e eurozonës (rreth  60.0 për qind), ngadalësimi i aktivitetit  ekonomik në eurozonë mund të ketë  implikime mbi këtë të hyrë për  ekonominë e Kosovës.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor