Vendosni fjalën kyçe....

Dëmtohet tubacioni i gazit e kablloja e telekomit, Finlanda dyshon për sabotim nga jashtë – Reuters


Një tubacion gazi nënujor dhe një kabllo telekomunikacioni që lidh Finlandën dhe Estoninë nën Detin Baltik janë dëmtuar në atë që mund të ketë qenë një akt i qëllimshëm, tha të martën qeveria finlandeze.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se NATO po ndan informacionin e saj mbi dëmin dhe është e gatshme të mbështesë aleatët në fjalë. Finlanda iu bashkua aleancës ushtarake në prill, ndërsa Estonia ka qenë anëtare që nga viti 2004.

Tubacioni i gazit ‘Balticconnector’ u mbyll herët të dielën nga shqetësimet se gazi po rridhte nga një vrimë në tubacionin prej 77 km të gjatë. Operatori finlandez ‘Gasgrid’ tha se mund të duhen muaj ose më shumë për t’u riparuar.

“Ka të ngjarë që dëmtimi si në tubacionin e gazit ashtu edhe në kabllon e komunikimit të jetë rezultat i veprimtarisë së jashtme. Shkaku i dëmit nuk është ende i qartë, hetimi vijon në bashkëpunim midis Finlandës dhe Estonisë,” tha presidenti finlandez Sauli Niinisto në një deklaratë të martën.

Kryeministri finlandez Petteri Orpo tha se dëmtimi i tubacionit ishte ‘shqetësues’, por se furnizimi me energji i Finlandës mbeti i qëndrueshëm dhe se dëmtimi në kabllon e telekomunikacionit nuk ndikoi në lidhjen e përgjithshme të Finlandës.

“Është shumë herët për të nxjerrë përfundime se kush ose çfarë e shkaktoi dëmin”, tha Orpo në një konferencë për shtyp.

Gazi përbën 5% të furnizimit me energji të Finlandës, shtoi ai. Operatori finlandez i telekomunikacionit ‘Elisa’, i cili operon kabllon e dëmtuar, i tha Reuters se largësia nga kablloja në tubacionin ‘Balticconnector’ ishte ‘e rëndësishme’, por nuk pranoi të komentojë mbi gjatësinë e saktë midis tyre.

Dëmtimi i tubacionit të gazit besohet të ketë ndodhur në ujërat finlandeze, ndërsa prishja e kabllove të telekomit ishte në ujërat estoneze, thanë autoritetet finlandeze.

E qëllimtë apo aksidentale?

Një zëdhënës i forcave finlandeze të mbrojtjes tha se aktualisht nuk shohin ndonjë kërcënim ushtarak kundër Finlandës.

Byroja finlandeze e hetimit ka nisur një hetim për dëmtimin e jashtëm të tubacionit.

“Ne jemi ende duke verifikuar nëse dëmi është shkaktuar qëllimisht apo aksidentalisht,” tha byroja, megjithëse shtoi se madhësia e dëmit ishte e tillë që tregonte një veprim të qëllimshëm.

Shkaktimi i këtij lloj dëmtimi në tubacion kërkon ‘njohuri të posaçme’, tha Byroja Kombëtare e Hetimit finlandez.

“Ky akt nuk mund të ishte bërë nga një person i zakonshëm,” u tha gazetarëve inspektori detektiv Timo Kilpelainen.

Lidhësi Baltik shkon në një thellësi prej 100 metrash në pikën e tij më të thellë, sipas operatorit ‘Gasgrid’.

Çmimet evropiane të gazit u rritën të martën pasdite pas lajmit, me kontratën e parë mujore holandeze që prek 49.75 euro për megavat orë (MWh) sipas të dhënave të LSEG, niveli i saj më i lartë për gjashtë muaj.

Çmimet ishin rritur tashmë të martën për shkak të frikës për tensionet në Lindjen e Mesme, por pritjet se veprimtaria e jashtme shkaktoi dëmtimin e tubacionit i shtyu çmimet edhe më lart.

Qeveria finlandeze tha se riparimet do zgjasin me muaj dhe se kostoja e gazit në Finlandë mund të rritet paksa gjatë dimrit si rezultat i rrjedhjes, por se çmimet e energjisë elektrike ka të ngjarë të mos ndikohen ndjeshëm.

“Rënia e presionit të gazsjellësit ishte mjaft e shpejtë, gjë që tregon se nuk është një rrjedhje e vogël. Por shkaku i saj mbetet i paqartë,” tha një zyrtar i energjisë baltike me njohuri për situatën, i cili foli për Reuters në kushte anonimiteti.

Tubacioni midis Inkoo në Finlandë dhe Paldiski në Estoni kalon në Gjirin e Finlandës, një krah i Detit Baltik që shtrihet në lindje në ujërat ruse dhe përfundon në portin e Shën Petersburgut.

Nord Stream

Në vitin 2022, tubacionet më të mëdha të gazit ‘Nord Stream’ që përshkojnë Detin Baltik midis Rusisë dhe Gjermanisë u dëmtuan nga shpërthimet që autoritetet kanë thënë se ishin veprime të qëllimshme sabotimi.

Tubacioni ‘Baltiçonnector’ u hap në dhjetor 2019 për të ndihmuar në integrimin e tregjeve të gazit në rajon, duke i dhënë Finlandës dhe vendeve baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë më shumë fleksibilitet të furnizimit.

‘Elering’ dhe ‘Gasgrid’ kanë thënë të dy se nuk parashikonin mungesa të gazit edhe nëse tubacioni do të mbetej jofunksional gjatë dimrit.

Operatori lituanez i sistemit të gazit ‘Amber Grid’ tha se depozitimi i gazit ‘Incukalns’ i Letonisë ka kaluar nga depozitimi i gazit në pompimin e tij menjëherë pas dëmtimit të ‘Balticconnector’, në mënyrë që të furnizojë Estoninë.

Finlanda mori me qira vitin e kaluar një njësi magazinimi lundrues dhe rigazifikimi (FSRU) për të marrë gaz natyror të lëngshëm (LNG), duke zëvendësuar furnizimet nga Rusia që u ndërprenë pas pushtimit të Ukrainës nga Moska.

Shumica e importeve të LNG-së në Finlandë vijnë nga Shtetet e Bashkuara, tregojnë të dhënat e LSEG.

E vendosur në Inkoo, anija Exemplar FSRU ka furnizuar me gaz Estoninë nëpërmjet ‘Baltiçonnector’.

“Kjo nuk është një punë e madhe për Estoninë dhe Letoninë sepse një pjesë e madhe e gazit të tyre ruhet në magazinimin e Letonisë, por finlandezët nuk do të jenë në gjendje të marrin gazin e tyre nga magazinimi letonez,” tha një burim me njohuri të drejtpërdrejta për furnizimet me gaz të Balltikut.

Finlanda ka një terminal të dytë importi LNG në Hamina dhe “vazhdimësia e furnizimit me gaz sigurohet në sezonin e ardhshëm të dimrit”, tha operatori kombëtar ‘Gasgrid’ në një deklaratë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani