Vendosni fjalën kyçe....

Erdogan: Pa krijimin e shtetit palestinez nuk ka paqe në rajon, Turqia e gatshme të ndërmjetësojë


Presidenti i Turqias, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se Ankaraja është e gatshme të marrë një rol ndërmjetësues në tensionin aktual izraelito-palestinez.

“Do të doja të deklaroja se Turqia është e gatshme për çdo lloj ndërmjetësimi, përfshirë shkëmbimin e të burgosurve, nëse palët e kërkojnë atë”, tha Erdogan pas një takimi të kabinetit në kryeqytetin Ankara.

Presidenti turk tha se vendi i tij gjithashtu i bën thirrje Izraelit të ndalojë bombardimet e tij ndaj tokave palestineze dhe palestinezëve u bëri thirrje të ndalojnë ngacmimet ndaj vendbanimeve civile në Izrael.

“Shkatërrimi i Gazës nga sulmet ajrore dhe tokësore, bombardimi i xhamive dhe vdekja e fëmijëve, grave, të moshuarve dhe civilëve të pafajshëm nuk janë kurrë të pranueshme”, tha Erdogan, raporton Anadolu.

Ai njoftoi se Turqia po ashtu po bën përgatitjet e nevojshme për të furnizuar me materiale të ndihmës humanitare që do t’i nevojiten njerëzve të Rripit të Gazës, duke iu referuar shkatërrimit nga sulmet ajrore izraelite dhe shkatërrimit të infrastrukturës atje.

“Ne besojmë se nuk do të ketë paqe në rajon pa krijimin e një shteti të pavarur dhe sovran të Palestinës me integritet gjeografik, brenda kufijve të vitit 1967, me Jerusalemin si kryeqytet”, theksoi presidenti turk.

Ankaraja mbështet fuqishëm një zgjidhje me dy shtete për konfliktin Izrael-Palestinë, përfshirë krijimin e një shteti palestinez me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

Më herët, presidenti Erdogan zhvilloi telefonata të ndara me homologun e tij palestinez, Mahmoud Abbas dhe atë izraelit, Isaac Herzog, për të diskutuar situatën e fundit në rajon.