Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç mohon përfshirjen e djalit të tij në sulmin në Banjskë


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mohoi se djali i tij, Danillo, është përfshirë në sulmin në Banjskë kundër policisë së Kosovës më 24 shtator.

Reagimi i Vuçiçit vjen pasi ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se në sulmin në Banjskë mori pjesë Millorad Jevtiq, që sipas tij, “njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danillo Vuçiç, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç”.

“Mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiçit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij [i përfshirë] në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”, shkroi Sveçla në Facebook.

Vuçiç përmes një reagimi në llogarinë e tij në Instagram tha se djali i tij “nuk ka lidhje” me sulmin në Banjskë, “përveç se ai e do Serbinë dhe ‘Kosovën e Metohinë’ si pjesë të saj, në linjë me Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

“Karakteristika e parë e një frikacaku është kur dikush sulmon familjen e tjetrit, fëmijët e tij, sepse ata gjithmonë janë shënjestra më e lehtë”, shkroi Vuçiç, duke iu drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht se ky i fundit nuk ka komentuar lidhur me deklaratat e bëra nga ministri Sveçla për djalin e presidentit serb.

Sveçla tha se pas sulmit në Banjskë autoritetet gjetën një dokument personal të Jevtiqit, i cili sipas tij, “nga pesë vizitat e fundit të djalit të Vuçiçit në Kosovë, katër herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë”.

Më 24 shtator, një grup i armatosur sulmoi një njësi patrulluese të policisë së Kosovës në një rrugë në fshatin Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Më pas, grupi i sulmuesve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë.

Gjatë përleshjeve, sipas autoriteteve kosovare, janë vrarë tre sulmues.
Kosova ka fajësuar për këtë sulm që e cilëson terrorist Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar ka pranuar se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë, përcjell REL.