Vendosni fjalën kyçe....

Trump, dita e dytë në gjyq nën akuzat për mashtrime në biznes


Sot vazhdon dita e dytë e gjyqit ndaj ish-Presidentit Donald Trump në Nju Jork, nën akuzat për mashtrime me pronat dhe bizneset e tij, duke e rritur atyre artificialisht vlerën. Gjyqi, një proces sipas kodit civil, po zhvillohet pa juri dhe do të jetë gjykatësi që do të vendosë për fajësinë, ose jo të presidentit, por procesi mund t’i japë një goditje të rëndë perandorisë së tij të pasurive të paluajtshme.

Zoti Trump, kryesuesi në garën e partisë republikane për president akuzohet se ka fryrë vlerën e pasurive të tij me miliarda dollarë, për të siguruar kushte më të favorshme për kreditë nga bankat dhe për të përfituar nga sigurimet.

Një vit para zgjedhjeve presidenciale ish-presidenti po i shfrytëzon paraqitjet në gjykatë si fushatë elektorale.

Ish-Presidenti Trump nuk ishte i detyruar dhe nuk kishte ndonjë rol në procedurat zyrtare të gjyqit.

Por megjithatë ai e shfrytëzoi rastin për të krijuar një spektakël mediatik që e ktheu atë në qendër të vëmendjes, duke u portretizuar para mbështetësve të tij si viktimë e një sistemi të politizuar të drejtësisë – një qëndrim ky që po i ndihmon përpjekjet e tij për të marrë kandidaturën e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Githçka ishte e ngjashme me paraqitjet e mëhershme të zotit Trump në gjykata të ndryshme dhe në një burg lokal, në katër aktpadi të tjera të ngritura kundër tij nga katër juridiksione të ndryshme.

Gazetarët pritën në radhë një natë më herët për të siguruar një vend në sallën e gjyqit; helikopterët e mediave ndoqën makinën e tij në një autokolonë nga kulla Trump e deri në gjykatën në Manhatan. Rrjetet kabllore e mbuluan drejtpëdrejt këtë spektakël.

Megjithatë, ai u ankua për paraqitjen e tij vullnetare në gjykatë.

“Është politike. Ka qenë shumë e suksesshme për ta, sepse më hoqën nga fushata. Më duhet të jem ulur në një gjykatë gjatë gjithë ditës, në vend që të jem në Ajova, Nju Hempshër, Karolinën e Jugut apo vende të tjera. Është ndërhyrje në zgjedhje. Ata po ndërhyjnë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Do të doja të merresha me fushatë në vend të kësaj”, tha zoti Trump.

Pjesën tjetër të ditës, zoti Trump e kaloi i ulur në tryezën e mbrojtjes duke vëzhguar procedurat.

Me kalimin e ditës, ish presidenti u duk më i zemëruar. Ai ka sulmuar ashpër prokuroren e përgjithshme të Nju Jorkut dhe gjykatësin e çështjes civile ndaj tij, ndërsa kundërshtoi akuzat se ka mashtruar lidhur me vlerën e pasurive të paluajtshme të tij.

Por në fund të ditës, gjendja e tij duket se ndryshoi. Ai doli nga salla e gjyqit duke pretenduar se shënoi një fitore, sepse, sipas tij, gjyqtari po i afrohej mendimit të mbrojtjes, se shumica e pretendimeve të padisë ishin përtej afatit ligjor.

Por, Bennett Gershman, profesor në Fakulteti Juridik të Universitetit “Pace” në White Plains të Nju Jorkut, e sheh ndryshe.

“Prokurorja e Përgjithshme ka bërë një denoncim duke kërkuar ndalimin e veprimtarive të bizneseve të tij dhe vendosjen e një gjobe të lartë, të paktën 250 milionë dollarë, duke pretenduar se ai ka mashtruar për shumë vite dhe se një pjesë e mashtrimit ka të bëj me falsifikim të dokumenteve dhe fryrje masive të vlerës së pronave për të marrë kredi dhe para sigurimesh. Me fjalë të tjera, prania e tij në Nju Jork si një manjat i pasurive të patundshme, si një element në skenën sociale dhe politike të Nju Jorkut, me siguri po vjen drejt fundit”, thotë zoti Gershman.

Gjykatësi Arthur Engoron e shpalli fajtor javën e kaluar ish presidentin për një prej akuzave, atë për mashtrim lidhur me praktikat e tij të biznesit.

Nëse vendimi nuk rrëzohet nga apeli, ish presidenti mund të humbasë kontrollin e pronave të tij në Nju Jork, duke përfshirë kullën Trump, një godinë me zyra në Wall Street, fusha golfi dhe një pronë në periferi./ VOA