Vendosni fjalën kyçe....

Çështja ‘Gërdeci’/ Gjykata e Posaçme pranon thirrjen e Shkëlzen Berishës si dëshmitar


Për herë të parë Shkëlzen Berisha, djali i ish kryeministrit Sali Berisha do të thirret në GJKKO për të dhënë dëshminë e tij lidhur me demontimin e municioneve në punishten e Gërdecit, shpërthimi i të cilës më 15 mars 2008 shkaktoi 26 të vdekur dhe qindra të plagosur.

GjKKO vendosi sot të pranojë listën me 71 dëshmitarë të SPAK ndërsa nga lista prej 90 dëshmitarë që kërkoi pala mbrojtëse e Fatmir Mediut gjykata ka hedhur poshtë thirrjen si dëshmitarëve të personaliteteve të huaja të cilat ishin në listë.

Seanca e radhës gjyqësore është caktuar të mbahet më 23 tetor 2023, ku pritet dhe të dëgjohen dhe 15 dëshmitarët e parë të SPAK.

Të parët që do të thirren si dëshmitarë janë familjarët e viktimave, mes tyre Zamira Durda e cila nga shpërthimi i Gërdecit humbi djalin e saj.

Gjykata gjithashtu caktoi dhe një ditë fikse se kur do të mbahet gjyqi ndaj Fatmir Mediut.

Çdo të enjte ora 09:00. Janë një numër i madh dëshmitarësh që pritet të dëshmojnë në këtë gjyq.