Vendosni fjalën kyçe....

Agim Kajmaku shëtit i lirë në mes të Tiranës: e gjejnë gazetarët, por jo policia


Exit News ka konfirmuar se ish-kryebashkiaku në arrati i Vorës, Agim Kajmaku lëviz lirshëm në Tiranë dhe në Vorë.

Ai është parë disa herë duke pirë kafe në një hotel disa kilometra pranë Vorës gjatë muajit dhjetor 2019.

Pasi morën sinjalizim nga dy persona, pa lidhje  me njëri-tjetrin, për praninë e Kajmakut në barin e mësipërm, Exit News e verifikoi në mënyrë të pavarur vërtetësinë e sinjalizimeve duke e parë Kajmakun të hyjë në këtë bar.

Kajmaku është parë gjithashtu një nga fundjavat e shkuara duke ecur në një rrugë kryesore në Tiranë, vetëm rreth 500 metra nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, i shoqëruar me një person tjetër.

Ai kishte veshur një kapele bejsbolli blu të errët dhe një xhaketë blu, me jakën e ngritur lart. Shoqëruesi i tij kishte veshur një xhup të kuq, me një bluzë të bardhë dhe pantallona të zeza.

Fotografitë e mëposhtme me rezolucion të dobët janë bërë në këtë rast.

Pasi eci në një rrugë të populluar dhe të njohur, Kajmaku u fut në një bar-kafe. Exit News edhe në këtë rast verifikoi identitetin e tij.

Një dëshmitar ka raportuar për Exit News se për të ruajtur një profil të ulët dhe mos tërhequr vëmendjen, Kajmaku ka qarkulluar me një makinë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), ku punon një nga të afërmit e tij.

Kajmaku është në kërkim që prej muajit nëntor, për emërime të paligjshme, pasi u zbulua se kishte gënjyer në formularin e dekriminalizimit.

Ish-kryebashkiaku socialist nuk deklaroi dënimin e tij në Greqi kur kandidoi në zgjedhjet vendore të qershorit 2019.

Ai është akuzuar gjithashtu për fallsifikim të vulës, falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe vazhdim i detyrës pas dorëheqjes.

Policia dhe prokuroia shqiptare kanë deklaruar se nuk kanë mundur të gjejnë vend-ndodhjen e Kajmakut edhe pse Exit News arriti ta lokalizonte atë tre ditë rresht në qendër të qytetit.

Ky artikull është korrektuar për të hequr emrin e barit në zonën e Vorës ku është parë Kajmaku në muajin dhjetor 2019, për të mos dëmtuar interesat e biznesit që nuk ka përgjegjësi apo detyrime në këtë histori.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Exit.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *