Vendosni fjalën kyçe....

Vetëm 34% e votuesve amerikanë mendojnë se Biden do e përfundonte mandatin e dytë – Sondazhi


Pak më shumë se një e treta e votuesve të regjistruar në SHBA mendojnë se presidenti Joe Biden do të përfundonte një mandat të dytë në detyrë nëse rizgjidhet vitin e ardhshëm, sipas një sondazhi të CBS News të botuar të dielën.

Sondazhi është i fundit në një seri sondazhesh që tregojnë besim të ulët të publikut në shëndetin mendor dhe fizik të Biden.

Sipas sondazhit, 34% besojnë se Biden do e mbyllte mandatin e tij të dytë, ndërsa 44% mendojnë se ai do të tërhiqej përpara vitit 2029. Rreth 22% thanë se nuk ishin të sigurt.

Biden do ishte 86 vjeç deri në përfundimin e një mandati të dytë të mundshëm. Rivali i tij i supozuar, Donald Trump, do ishte 82. Sipas sondazhit, 55% e votuesve besojnë se Trump do e përfundonte një mandat të dytë, ndërsa 16% thanë se ai do tërhiqej para kohe. Rreth 29% ishin të pasigurt.

Si Biden ashtu edhe Trump kanë këmbëngulur se mosha e tyre e shtyrë nuk është problem. Biden kohët e fundit i tha një turme se mosha e tij i ka dhënë atij më shumë mençuri e urtësi, ndërsa Trump i tha NBC News të dielën se ai kishte trashëguar jetëgjatësinë nga prindërit e tij, të cilët vdiqën në moshën 93 dhe 88 vjeç.

“Unë nuk mendoj se Biden është shumë i vjetër,” tha Trump për NBC. “Por unë mendoj se ai është i paaftë dhe ky është një problem më i madh.”