Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Disa duan të mbajnë ndezur konfliktin brenda PD-së, bashkimi i opozitës domosdoshmëri


Deputeti i PD-së Gazment Bardhi tha sot se ka bërë të gjitha përpjekjet që të ketë bashkim në grupin parlamentar duke shmangur debatet e nevojshme.

I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24 ai tha se disa kanë vendosur të mbajnë ndezur konfliktin brenda partisë.

Bardhi tha gjithashtu se zgjatja e konfliktit është e panevojshme dhe se bashkimi është i domosdoshëm për opozitën.

“Disa kanë vendosur të mbajnë të ndezur konfliktin brenda PD duke shfokusuar vëmendjen nga keqqeverisja. Kam bërë të gjitha përpjekjet që në grupin Parlamentar të kemi një unifikim për të shmangur debatet e panevojshme. Një pjesë shumë e vogël brenda PD nuk janë bërë pjesë e kësaj iniciative, pa dhënë asnjë shpjegim kanë bërë zgjedhjen e tyre. Unë i bëj thirrje për të reflektuar, sepse nuk është zgjidhje mbajtja ndezur e një konflikti të panevojshëm. Unifikimi është i domosdoshëm për opozitën.” – tha ai.

Bardhi shtoi se kryetarja e Kuvendit Nikolla provokoi opozitën me përfshirjen në çështjet e brendshme të PD-së.

Ai tha se ajo duhet të zbatojë rregulloren.

“Kryetarja e Parlamentit nuk është kryetare e partive politike, por ka detyre të zbatojë rregulloren. Rregullorja është krejtësisht e qartë për kryetarin e grupit parlamentar. Nuk bëhet fjalë për individin, por ka të bëjë me parimet e funksionimet e një shtetit. Numra në Kuvend janë të qarta dhe kryetarja e Kuvendit nuk mund të bëjë sikur është jashtë realitetit politik. Zoti Basha është në minorancë dhe nuk gëzon mbështetjen dërrmuese e  një pjesë në parlament.” – shtoi Bardhi.