Vendosni fjalën kyçe....

Goditet rrjeti i trafikut të drogës dhe prostitucionit në Itali, arrestohen dy drejtuesit shqiptar të grupit dhe një italian si dhe 24 bashkëpunëtorë të tyre


Një operacion i madh i karabinierëve italianë çmontoi një rrjet trafiku droge, në zonën e Milanos dhe me lidhje me Shqipërinë, i cili furnizonte një treg droge që përfshinte të gjithë Italinë dhe arrinte deri në Zvicër.

Hetimi çoi në paraburgimin paraprak të 24 personave – 2 italianë, 16 shqiptarë, 5 marokenë, një tunizian.

Por nuk ishte vetëm droga: hetimet nga karabinierët e komandës provinciale të Milanos zbuluan gjithashtu aktivitetin e paligjshëm për shfrytëzim prostitucioni, si dhe grabitje dhe zhvatje.

Gjatë operacionit, u përfshinë rreth 200 forca në 40 kontrolle, duke sekuestruar të ardhurat e veprimtarisë së trafikut të drogës, që kapin vlerën e qindra mijëra eurove. Gjithashtu ata bënë edhe tre arrestime në flagrancë: një italian dhe dy shqiptarë duke u gjetur sasi të mëdha droge.

Operacioni rrjedh nga një hetim i nisur në prill 2020, pas një letërporosie ndërkombëtare pas arrestimit flagrant – në territorin zviceran – të një italiani. Burri u kap teksa mbante në makinë 6 kilogramë heroinë.

Megjithatë, sapo u arrestua, ai bashkëpunoi me autoritetet, duke dhënë deklarata “vetëakuzuese” dhe duke i zbuluar policisë informacione të dobishme për rrjetin e trafikut të drogës.

Hetimet u kryen në bashkëpunim me hetuesit zviceranë dhe bënë të mundur rindërtimin e strukturës dhe operacioneve të dy shoqatave kriminale të dallueshme, në biznes me njëra-tjetrën dhe të kryesuara nga dy familje shqiptare, Lusha në Peschiera Borromeo dhe Goseni në Kologno. Monzese, me lidhje operacionale në Shqipëri – ku bëhej edhe riinvestimi i të ardhurave nga aktivitetet e trafikut të drogës – baza logjistike në provincën e Milanos dhe degë në të gjithë Italinë e Veriut – veçanërisht në provincat e Monza Brianza-s dhe Bergamos – si dhe në Kalabri dhe Zvicër, përcjell Republica.

Importimi i heroinës dhe kokainës – i cili bëhej kryesisht nëpërmjet autobusëve, korrierëve dhe kamionëve – nxiti një rrjet të trafikut të drogës në territorin italian dhe zviceran, i përbërë kryesisht nga “grupet” e trafikantëve me origjinë nga Afrika e Veriut në pyje dhe zona bujqësore.

Gjatë hetimeve u kryen episode të shumta ndalimi, transporti dhe dërgimi të drogës në provinca të ndryshme të Italisë Veriore (Bergamo, Monza dhe Brianza, Torino dhe Verona). Gjatë bastisjes u sekuestruan 42 kg lëndë narkotike përfshirë heroinë, kokainë dhe hashash dhe 40 kg lëndë përzierse, si dhe 2 pushkë të ndaluara në mënyrë të paligjshme dhe gati 50 mijë euro cash. Gjithashtu u identifikuan një apartament dhe një magazinë e përdorur si laborator droge si dhe disa apartamente dhe garazhe që përdoren për ruajtjen e ngarkesave të drogës.

Më tej, nga disa përgjime telefonike dhe mjedisore, rezultoi se disa anëtarë të njërit prej dy grupeve, përfshirë edhe njeriun në krye të “Grupit Goseni”, menaxhonin në mënyrë të qëndrueshme dhe të organizuar një rrjet nxitjeje dhe shfrytëzimi prostitucioni. Bëhet fjalë për të paktën njëzet vajza nga Evropa Lindore, të detyruara, me kërcënime dhe dhunë, të prostituohen në apartamentet e menaxhuara nga organizata kriminale – veçanërisht në zonën Via Ripamonti në Milano – dhe që viheshin në dispozicion në faqet e takimeve online. Jo vetëm kaq: të dyshuarit akuzohen edhe për grabitje dhe zhvatje ndaj vajzave. Përveç kësaj, u zbuluan edhe kërcënime për publikimin e materialeve pornografike ndaj një gruaje që donte të largohej nga rrjeti i prostitucionit.